Pasi automjetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) shkuan gabimisht në veri të Mitrovicës, nga FSK dalin me sqarim.

Sipas shefit të shtabit të zyrës për informim nga FSK-ja, Vëllazërim Qerimi ka thënë gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes.


"Forca Sigurisë së Kosovës sqaron se sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes", tha Qerimi.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani për Telegrafin tha se erdhën gabimisht në veri.

Ai tha se menjëherë janë afruar pjesëtarët e policisë për t’i pyetur se si mund t’i ndihmojnë dhe të njëjtën kanë thënë se e kanë ngatërruar rrugën.

"Diku para orës 11.00 në afërsi të stacionit Policor në Mitrovica Veri janë parkuar disa automjete të FSK-së. Kur atyre iu është afruar Policia, të njëjtit kanë thënë se e kanë ngatërruar rrugën. Policia i ka përcjell nga ai vend deri te Kërshi i Dudës", ka thënë Elshani. /Telegrafi/