Ushtruesi i detyrës së Ministrit në Detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar shpalljen e thirrjes për aplikim për transportin publik që do të lidhë jugun dhe veriun e Mitrovicës.

“Lajmet e mira për Republikën, e sidomos për Mitrovicën, nuk kanë të ndalur. Sot kemi shpallur thirrjen për aplikim për transportin publik që do ta subvencionojmë, me qëllim që të lidhim edhe më shumë njerëzit dhe ta bashkojmë edhe më fort Jugun me Veriun”, ka shkruar Durmishi.


Durmishi sqaroi gjithashtu rrjetin e linjave.

“Do të ketë linja autobusi nga Mitrovica e Jugut për në Leposaviq e deri në Jarinjë, për në Zubin Potok e deri në Bërnjak, nga Jugu i Mitrovicës për te Kroi i Vitakut dhe në Zhazhë, Bistricë e Cerajë, si dhe nga Mitrovica e Jugut për në Banjskë dhe fshatrat e tjera të Zveçanit, dhe anasjelltas”, tha ai.

Durmishi ka shtuar se kjo është lëvizje e lirë, bashkim i qyteteve e bashkim i njerëzve. /Telegrafi/