ATK shënon rritje të të hyrave për periudhën janar - mars 2025

Gjatë tremujorit të parë 2025, Administrata Tatimore e Kosovës ka realizuar të hyra tatimore në vlerë prej 254.6 milionë euro, duke shënuar rritje 18.3 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë 2024, transmeton KosovaPress.
Kjo rritje sipas ATK-së është rezultat i përmirësimit të shërbimeve për tatimpaguesit, reformave të ndërmarra dhe rritjes së transparencës në administrimin e tatimeve.
Sipas saj, ofrimi i shërbimeve profesionale dhe lehtësimi i procedurave ka ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e obligimeve tatimore nga tatimpaguesit.
“Forcimi i llogaridhënies është mekanizëm i fuqishëm i institucionit tatimor, i cili ka rezultuar që të kemi zbatim të saktë të procedurave tatimore, si dhe rritje të integritetit”, përkujton ATK.
ATK thotë se do të angazhohet vazhdimisht në dialog të hapur me bizneset për të adresuar sfidat dhe përmirësuar përmbushjen tatimore. /Telegrafi/

















































