Askush s’e di çfarë do të pasojë ndryshimin e regjimit në Iran, por ajo që ndodhi më 1979 ofron disa tregues

Janë të habitshme ngjashmëritë midis së tashmes dhe ngjarjeve që paraprinë mërgimin e Shahut. Atëherë përfituan klerikët radikalë, por kush do të mbizotërojë këtë herë?
Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Një moment kritik po përvijohet për Iranin, dhe kështu për Lindjen e Mesme. Pasojat globale të çdo përmbysjeje në Teheran janë bërë plotësisht të qarta që nga revolucioni në vitin 1979, që hapi rrugën për sundimin e klerikëve radikalë islamistë. Në Oman, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe ekipi i tij, kanë filluar bisedimet indirekte me një delegacion amerikan të nivelit të lartë. Shumë analistë besojnë se hendeku midis dy palëve është tepër i madh për t’u kapërcyer dhe se një konflikt është i pashmangshëm. Vetëm këtë fundjavë, pasi veçse kishte kërcënuar me veprim ushtarak, Donald Trumpi tha se ndryshimi i regjimit është “gjëja më e mirë që mund të ndodhë” në Iran. Tensioni dhe rreziqet po rriten.
Tani po rrezikohet mbajtja e Iranit nga ata që erdhën në pushtet pas revolucionit të vitit 1979. Objektivi përfundimtar i ShBA-së duket të jetë ndryshimi i regjimit. Në fakt, kjo mund të jetë tashmë në proces. Në dhjetor 2025 dhe janar 2026, Iranin e përfshiu vala më e gjerë e protestave që nga fillimi i viteve ‘80 të shekullit XX, me qindra-mijëra që dolën në rrugë - nga Mashhadi në Abadan.
Pamjet e tilla bënë që shumëkush të kujtojë ditët e fundit të Shahut të Iranit, kur miliona vetë dolën në rrugë. Dhe, ndërsa jetojmë përmes ngjarjeve bashkëkohore, ka ngjashmëri të theksuara midis atëherë dhe tani që duhet të plotësojnë debatin për atë që mund të ndodhë, për shpresat dhe frikën tonë. Një paralele e dukshme është roli qendror i ekonomisë. Inflacioni në rritje ishte një shkaktar kyç i trazirave më të fundit. Kështu ishte edhe pothuajse 50 vjet më parë. Në vitin 1977, çmimi i mallrave bazë të konsumit u rrit deri në 27 përqind. Edhe atëherë, akterët kryesorë ishin tregtarët dhe biznesmenët në pazarin e Teheranit, jetesa e të cilëve ishte e kërcënuar.
Një paralele e dytë po shfaqet: një cikël represioni, mjerimi dhe proteste që ngjan me atë që rrëzoi Shahun. Më 1978, kjo filloi kur një gazetë konservatore iraniane botoi një artikull shpifës për Ajatollah Ruhollah Khomeinin, duke nxitur protesta masive mes admiruesve të tij. Në qytetin e shenjtë të Komit, qindra studentë fetarë dolën në rrugë, duke i sulmuar simbolet e sundimit të Shahut dhe modernizimin që ai kishte kërkuar të impononte. Forcat e sigurisë përdorën municion të vërtetë për të rivendosur rendin dhe gjashtë studentë u vranë. Në Teheran pati trazira të mëtejshme.
Protestat mund të ishin shuar, po të mos ishte tradita midis myslimanëve shiitë - të cilët ende formalisht përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë iraniane - për të respektuar një periudhë 40-ditore zie para një përkujtimi përfundimtar kolektiv.
Ryszard Kapuściński, reporteri i njohur polak, përshkroi se si familja, miqtë, fqinjët dhe të afërmit - “e gjithë rruga, i gjithë fshati, një turmë njerëzish” - mblidheshin në shtëpinë e të ndjerit. “Nëse vdekja ishte e natyrshme ... ky tubim përbëhet nga disa orë shkarkimi ekstazik, patetik, ndjekur nga një gjendje e nënshtrimit të mpirë dhe të përulur”, shkroi ai. Por, “nëse vdekja ishte e dhunshme, e shkaktuar nga dikush” atëherë “një etje për hakmarrje i pushton njerëzit [dhe] ... ata shqiptojnë emrin e vrasësit, të autorit të pikëllimit të tyre, dhe besohet se, edhe nëse ai është larg, ai do të dridhet në atë çast, [sepse] ditët e tij janë të numëruara”.
Saktësisht 40 ditë pas protestave në Kom në janar 1978, demonstratat e reja çuan në vrasje të reja, së bashku me zinë dhe procesionet përkujtimore të cilat në mënyrë të pashmangshme u kthyen në protesta të reja masive. Këto, natyrisht, nxitën represion të mëtejshëm vdekjeprurës. Cikli u intensifikua derisa në janar 1979 Shahu, “autori i pikëllimit të tyre”, u largua nga Irani - gjoja për pushime - për të mos u kthyer.
Ai cikël mund të përsëritet. Të enjten e kaluar, Wall Street Journal raportoi se tregtarët në pazarin e madh të Teheranit u kishin bërë thirrje homologëve të tyre, në mbarë Iranin, të kthehen në rrugë në fund të periudhës tradicionale 40-ditore të zisë për vrasjet e javës së parë të janarit. Qëllimi i protestës do të jetë “njëkohësisht, në qytetet e tyre, që të mbajnë gjallë kujtimin e të vdekurve dhe të vazhdojnë kryengritjen kombëtare”, tha në kanalin e saj në Telegram një shoqatë tregtare e punëtorëve të pazarit, e cituar nga WSJ-ja. Qëllimi është “të hakmerret masakra më e madhe në rrugë në historinë bashkëkohore”.
Kjo mund të jetë një sfidë shumë më e madhe për regjimin sesa edhe kërcënimi i sulmeve amerikane nëse, siç pritet, bisedimet dështojnë. Ali Ansari, një historian i shquar i Iranit, e ka vlerësuar numrin total të të vdekurve në opozitë ndaj Shahut, në vitin 1978, në rreth 2 800. Disa besojnë se deri në 30 000 vetë mund të kenë vdekur në janar. Kjo do të thotë shumë të pikëlluar dhe më shumë komemoracione 40-ditore në javët në vijim.
Kapuściński, së bashku me qindra reporterë dhe fotografë ndërkombëtarë, ishte në terren në Iran në vitin 1978, por sot nuk ka ekuivalentë të tillë dhe regjimi vazhdon të kufizojë internetin. Kjo e bën të vështirë të dihet saktësisht kush ishte në rrugët e Iranit dhjetorin e kaluar dhe në janar. Se trazirat ishin të përhapura dhe një shprehje autentike e zemërimit dhe tjetërsimit të thellë, kjo duket e qartë. Por, biografitë tragjike të viktimave që kanë dalë në pah ofrojnë vetëm një pamje fragmentare të identiteteve të atyre që rrezikojnë vdekjen dhe plagosjen në emër të lirisë.
Ne e dimë se lëvizja revolucionare e vitit 1978 ishte një koalicion i gjerë. Ajo përfshinte klerikët radikalë që ndiqnin Khomeinin dhe shumë miliona iranianë, shpesh të varfër, më pak të arsimuar, që e shihnin ajatollahun e mërguar si - ndonjëherë fjalëpërfjalshëm - përgjigjen e lutjeve të tyre. Por, kishte edhe të tjerë, shumë prej të cilëve kishin punuar po aq fort dhe kishin bërë po aq sakrifica në përpjekjen për të përmbysur Shahun.
Në rrugë në vitet 1978 dhe 1979 kishte liberalë dhe nacionalistë të çdo mendësie të mundshme ideologjike - socialistë dhe feministe, klerikë të moderuar dhe studentët e tyre, madje edhe disa komunistë të shkollës së vjetër. Kishte gjithashtu përfaqësues të pakicave etnike, gjuhësore dhe fetare të Iranit. Kjo larmi kishte avantazhe dhe disavantazhe. Siç shkroi Kapuściński: “Të gjithë ishin kundër Shahut dhe donin ta largonin. Por, secili e imagjinonte të ardhmen ndryshe”.
Edhe nëse regjimi aktual përmbyset, çdo drejtim i ri mund të mos jetë menjëherë i qartë, sepse vlen të theksohet se Khomeini nuk e mori menjëherë pushtetin pas kthimit të tij. U deshën disa vite që sundimi i tij të sigurohej plotësisht - ndërtuar mbi luftën me Irakun, institucionet e reja, një kushtetutë e re dhe forca të reja sigurie, si Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe ato Basixh. Këto u përdorën për të shkatërruar në mënyrë metodike çdo kundërshtar të mundshëm në Iran midis viteve 1979 dhe 1988, dhe ishin gjithashtu maja e përgjakshme e reagimit të regjimit ndaj trazirave më të fundit.
Ka një mësim në këtë për burrat dhe gratë e guximshme në Iran që sot kërkojnë përmbysjen e sundimtarëve të tyre. Tani, si atëherë, triumfi i tyre mund të vijë vetëm përmes mobilizimit masiv të miliona njerëzve dhe ndërtimit të një koalicioni të gjerë. Por, ndonëse të gjithë do të ndajnë shumë qëllime të përbashkëta, do të ketë po aq vizione të ndryshme për të ardhmen e Iranit sot sa kishte midis atyre që rrëzuan Shahun në vitin 1979. Atëherë, vetë diversiteti i tyre u bë dobësi, duke i lejuar një fraksioni të impononte një sundim autoritar dhe një vizion të ashpër në kurriz të të gjithëve të tjerëve.
Pra, regjimi mund të bjerë, por nëse bie, e ardhmja është e vështirë për t’u parashikuar - po aq sa ishte mes trazirave 47 vjet më parë. Populli mund të mbizotërojë dhe të zbulojë se beteja e vërtetë për liri, prosperitet dhe siguri sapo ka filluar. /Telegrafi/




















































