Do të vije një kohë kur askush nuk do të na besojë se kemi përjetuar një kohë si kjo e sotmja. Fëmijët që kanë lindur tani dhe që do të lindin tash e mbas, s’do të na besojnë se ka qenë një epokë e tillë. Do të jetë humbje kohe të përpiqemi t’i bindim për shumë gjëra që tash i shohim, i dëgjojmë, i lexojmë, i ndjejmë dhe i prekim çdo ditë në këtë Kosovën tonë të shkretë. Ata, sidomos, nuk do të na besojnë pse nuk kemi reaguar, me qytetari dhe kulturë kundër këtyre shfaqjeve. Jam i sigurt se do të vije një ditë, kur…

Askush nuk do të na besojë se në këtë Kosovën tonë ka pasur krijesa të tilla primitive që kanë festuar ditëlindjen dhe ditëvdekjen e diktatorit më të poshtër që ka prodhuar historia komuniste. Gjenerata e ardhshme, duke pasur largësinë kohore të nevojshme për kthjellimin e kontributit mizor që ka pasur Enver Hoxha tek shqiptarët, nuk do të besojë se ka pasur kosovarë që kanë thirrur për emërtimin e rrugëve me emrin e urryer të tij. Krejt kjo, kur viktimat e këtij sharlatani ende rrojnë dhe ende vuajnë nga aktet makabre dhe të pashembullta të dhunës që ka prodhuar ky dhe klika e tij.


Askush nuk do të na besojë se për shtrimin e 7-8 km asfalt është dashur të pritet 2 vjet dhe askush nuk do të na besojë se për ndërtimin e një rrethrrotullimi (shumë të thjeshtë) është dashur “punë e mundimshme” 3 vjeçare. Gjithashtu, s’do të mund të gjejmë njeri në të ardhmen që ta bindim se edhe pasi ishte kryer më shumë se gjysma e projektit “madhështor” të një rrethrrotullimi “në ajër”, askush, e as ndërtimtarët që e punonin, nuk ishte i sigurt se a ishte vendosur në rregull apo gabim. Natyrisht, se do të na quajnë gënjeshtarë dhe deformuesë realiteti, nëse u themi atyre që nuk kanë jetuar kohën tonë, se gropat në këto projekte madhështore janë paraqitur 3-4 muaj pas prerjes së shiritit. Dhe nuk do të besojnë se askush nuk është skuqur nga turpi për këtë, as projektuesit, as ndërtuesit e as mbikëqyrësit.

Askush nuk do të na besojë se simboli i demokracisë – zgjedhjet e lira demokratike, do të degradohen në atë mënyrë që secili do ta dijë rezultatin javë të tëra pa u bërë ato (?!) dhe askush nuk do të na besojë se njerëzit më të dështuar dhe pa asnjë vlerë do të dilnin të kërkonin votën (të cilën votë, tashmë e kishin blerë, në kuptimin e plotë të fjalës) e atyre qytetarëve të mjerë, që deri atëherë ua kishin vjedhur edhe kafshatën e gojës.

Askush nuk do të na besojë se në shekullin 21, Korporata Elektroenergjetike e Kosovës do të na luste të mos harxhonim shumë rrymë. Thirrja për kursim të energjisë është shumë normale në shoqëritë bashkëkohore (dhe këtë e bëjnë OJQ-të, shoqatat ekologjike…), por që vetë prodhuesi të thërras publikisht për mos konsumim të tepërt të prodhimit të tij, kjo është për të vënë duart në kokë. E ngjashme do të ishte nëse bujqit që shesin patate, kur të blinim nga ta në ditët e tregut, të na thoshin: “ju lutemi, bleni patatet, por mos i hani shumë se po harxhohen!”

Askush nuk do të na besojë se në Superligën e Kosovës, shumica e futbollistëve nuk mund ta gjuajnë topin matanë gjysmës së fushës së lojës. Krejt kjo, kur shumica ekstreme e portierëve të botës, e hedhin topin përtej gjysmës…me dorë. Askush nuk do të besojë se janë bërë aq shumë manipulime për një ligë dhe futboll të vdekur, pa kualitet, pa energji, pa mundësi daljeje në arenën ndërkombëtare dhe pa asnjë rëndësi nëse bëhesh kampion apo jo.

Askush nuk do të na besojë se doktorëve tanë të shkencës ju nevojitet lektor gjuhësor, që t’ua përmirësojë miliona gabime drejtshkrimore në “librat” e tyre voluminozë. Në këtë vazhdë, askush nuk do të na besojë se profesorët e shkencave natyrore, kur nxënësit e hollë nga mendja u gjejnë gabime të rënda drejtshkrimore, arsyetohen se kjo nuk është farë problemi pasi që ata “nuk janë arsimtarë të gjuhës shqipe”. Askush nuk do të na besojë se me të tilla probleme bashkëjetojnë edhe ata që gjuhën e kanë të vetmen armë në profesionin e tyre – gazetarët.

Askush nuk do të na besojë se çfarë morali kanë pasur mjekët e pasluftës. Do të jetë krejt e kotë t’ia shpjegojmë dikujt se vizita te mjeku i fëmijës tënd ka shkaktuar aq shumë mornica (për çmimet astronomike të vizitës 2 minutëshe dhe për diagnozat astrologjike brenda 2 minutash). Askush nuk do të na besojë se të gjithë fëmijët e një qyteti kanë pasur të njëjtën “sëmundje” (kjo, e caktuar në bashkëpunim të “shkëlqyeshëm” me barnatoret) dhe është dashur të marrin trajtim të njëjtë (sic!).

Askush nuk do të na besojë se për t’u punësuar në institucionet qeveritare nuk është dashur të plotësohet asnjë kriter profesional. Askush nuk do të na besojë se shumica absolute e njerëzve të punësuar në ato pozita nuk e kanë pasur as idenë më të vogël çka do të punojnë aty dhe çfarë janë përgjegjësitë e pozicionit që ata kanë “zënë”. Askush nuk do të na besojë, madje, se kjo gjendje injorance ka zgjatur edhe shumë vjet më pas, kur “nënpunësi” tashmë ka pasur “përvojë” disavjeçare.

Askush nuk do të na besojë se ka pasur një kohë kur të japësh dhe të marrësh ryshfet për t’u punësuar nuk paraqet krim. Përkundrazi, është zotësi e atij që, nëpër labirintet e korrupsionit, nepotizmit e krimit shumëngjyrësh, ka gjetur “nyjën” ku duhet të jipet ryshfeti. (Shumica nga ne, meqë ra fjala, as këtë aftësi të shëndetshme tranzicioni, nuk e mësuam kurrë.) Askush nuk do të na besojë se këta “Kristofor Kolombo” nuk kanë qenë të dënuar moralisht nga shoqëria jonë e pasluftës. Përkundrazi, ka qenë një garë se kush po afrohet më shumë me ta.

Askush nuk do të na besojë se studentët e kohës sonë në një test provimi me 100 pikë maksimale dhe me 61 pikë minimale (ku kalojnë lëndën- me notën 6), kanë pasur këto kërkesa: njëri, që ka arritur 26 pikë ka kërkuar me ngulm notën 10, kurse tjetri që ka “fituar” 6 pikë, ka ngulur këmbë se meriton notën 6. Askush nuk do të na besojë për këtë, sikur që profesoresha e këtyre studentëve të “zellshëm” nuk po u besonte syve dhe veshëve të saj, kur po dëgjonte kërkesat e “intelektualëve” të ardhshëm.

Dhe në fund: askush nuk do të na besojë se shumë nga kosovarët që me gëzim dhe lumturi të papërshkruar me fjalë, kishin përqafuar me dashuri ushtarët dhe personelin e aleancës perëndimore, të cilët në qershorin 1999 po hynin në qytetet dhe fshatrat tona të shkrumbuara, do t’i gjuanin këta me gurë në mars 2004 dhe do t’i shanin dhe do t’i llogarisnin të “huaj” dhe përgjegjës për dështimet tona, pas disa vitesh.

Do të vije një kohë, kur askush nuk do të na besojë…për asgjë. Sigurisht se në atë kohë, të gjithë ne që kemi jetuar këtë kohë, do të dëshpërohemi thellë, shumë thellë. Do ta pyesim dhe do ta qortojmë veten pse ia kemi lëshuar rrugën të keqes. Arsyetimi se lufta kundër së keqes në këtë kohë të kushtonte me jetë, nuk do të pijë ujë më. Dhe a e dini pse? Sepse, atëherë do ta kuptojmë se jeta pa disa vlera esenciale, të cilat i kemi shkelur rëndë, nuk është jetë më. Nuk është jetë e vërtetë njerëzore. Në atë kohë, të kërrusur nga vitet dhe, sidomos, nga turpi, do ta ulim kokën dhe do të ndjejmë keqardhje të tmerrshme që ua kemi vrarë çdo perspektivë gjeneratës që po vjen. Duke pasur informata të hollësishme për sinqeritetin tonë, kjo gjeneratë nuk do të na besojë as për keqardhjen tonë.