“As nuk prisnim që të luante titullar”, te Fenerbahce mbeten të shokuar nga Arbër Hoxha

Paraqitja e jashtëzakonshme e Arbër Hoxhës ndaj Fenerbahces në kuadër të Ligës së Evropës e ka lënë të befasuar edhe trajnerin Domenico Tedesco, i cili haptas deklaroi se nuk priste që shqiptari të jetë titullar.
Hoxha ndoshta zhvilloi një nga paraqitjet më të mira në fanellën e Dinamos, ku ishte i pandalshëm në krahë derisa edhe asistoi në fitoren 3:1.
Në një nga pyetjet e shumta pas kësaj “humbje befasuese” për Fenerin, ishte për Hoxhën, për të cilin Tedesco deklaroi se nuk priste ta shihte nga minuta e parë.
“As nuk e dija që do të luante, u befasuam në fakt. Hoxha ishte shumë i shpejtë dhe i fortë me topin, lojtar tepër i mirë”.

Ndërkohë, mbështetje Hoxhës i dha trajneri i Dinamos Kovacevic, i cili shtoi se anësori shqiptar i meriton të gjitha lëvdatat.
“Jam i befasuar që Fenerbahce u befasua në këtë mënyrë nga Arbër Hoxha. Hoxha zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse dhe ndaj Hajduk Splitit, prandaj duhet respektuar. Jam shumë i lumtur për të, i meriton të gjitha”, nënvizoi ai.
Kjo formë e shkëlqyer e Hoxhës padyshim do ta gëzojë edhe përzgjedhësin Sylvinho, i cili mund ta lërë titullar ndoshta në “përballjen e vitit” kundër Serbisë në Leskovc./Telegrafi/



















































