LAJMI I FUNDIT:

Arti për të rrëfyer

Arti për të rrëfyer

Nga: Walter Benjamin
Përktheu: Bajram Karabolli

Çdo mëngjes informohemi për të rejat e planetit. E, megjithatë, jemi të varfër për histori të veçanta. Pse ndodh kjo? Ndodh se çdo ngjarje nga ato që na thonë, është e mbushur me të dhëna shpjeguese. Me fjalë të tjera: asgjë nga çfarë tregohet nuk ka ngjyrën e rrëfimit, por atë të informacionit. Nëse do të mund të riprodhonim një histori duke iu shmangur shpjegimeve, do të arrinim gjysmën e artit të rrëfimit. Të vjetrit, me në krye Herodotin, qenë mjeshtër në këtë art.


Në kapitullin e katërmbëdhjetë të librit të tretë të Historive të tij, ndodhet historia e faraonit të Egjiptit, Psamtiku III. Kur Psamtiku III, në vitin 525 para Krishtit, u mund prej persëve, mbreti i persëve, Kambisi II, jo vetëm që e burgosi atë por bëri ç’ishte e mundur edhe për ta gjunjëzuar. Për këtë urdhëroi që Psamtikun ta vendosnin në anë të rrugës, ku persët do të kalonin me një paradë triumfale, në mënyrë që faraoni i Egjiptit të shikonte të tijtë duke kaluar si robër të persëve, por, mbi të gjitha, të shikonte edhe vajzën e vet si skllave, me një shtambë në dorë duke vrapuar për të mbushur ujë në çezmë.

Ndërsa, shikonte atë pamje poshtëruese ku egjiptianët e tij qanin e rënkonin, Psamtiku qëndronte i patundur, pa lëvizur fare dhe pa thënë asnjë fjalë, me sytë e fiksuar në tokë. Edhe kur pa që të birin me disa të tjerë që i vendosën përpara tij për t’i ekzekutuar, ai përsëri qëndroi i patundur. Po kur, pak më pas, pa një nga shërbëtorët e tij, një burrë të moshuar dhe të mjerë, në reshtin e robërve, atëherë goditi kokën me grushte, duke dhënë shenjat e një dhimbjeje të thellë.

Në këtë histori kemi një rrëfim të vërtetë. Këtu informacioni mungon duke ia lënë vendin një vlere të re, e cila në atë çast vetëm ajo shkëlqen. Ne përqendrohemi tek ajo vlerë dhe nuk duam të humbasim kohë me asgjë tjetër. Pra, në tregimin e ngjarjes ndodh diçka tjetër: rrëfimi nuk mbaron aty, ai depozitohet e ruhet fort brenda vetes dhe mund të rrëfehet më vonë, pas një kohe të gjatë.

Montenji duke iu kthyer kësaj historie të faraonit egjiptian shtron pyetjen: “Pse faraoni preket me të parë mjerimin e shërbëtorit të tij plak dhe jo më përpara?” Dhe, Montenji përgjigjet: “Duke qenë se deri në ato çaste shpirti i tij qe mbushur plot me dhimbje, mjaftoi të shtohej edhe një pikë e vogël dhimbjeje që ai të mos duronte dot më e të shpërthente.”

Kjo është një formë të kuptuari të kësaj historie. Por, ka edhe të tjera shpjegime. Natyrisht, kushdo që e shtron këtë pyetje në rrethin e miqve të vet, mund të marrë përgjigje të ndryshme për këtë çështje. Për shembull, një nga miqtë e mi tha: “Faraonin nuk e prek fati i pjesëtarit të monarkisë, sepse ai është i tij.” Një tjetër tha: “Në këtë ngjarje na prekën shumë gjëra, të cilat në jetë nuk na bëjnë shumë përshtypje; shërbëtori është vetëm një aktor për faraonin.” Ndërsa një i tretë tha: “Dhimbja e madhe grumbullohet brenda, ama duket vetëm kur del jashtë. Me të parë shërbëtorin dhimbja e grumbulluar shpërtheu.”

“Nëse kjo histori do të ndodhte sot”, tha një tjetër, “atëherë, në gjithë mediat do të thuhej se Psamtiku donte më shumë shërbëtorin se fëmijët e vet.”

Ajo që nuk vihet në dyshim është se të gjithë gazetarët do të rrekeshin të shpjegonin ngjarjen. Herodoti nuk e shpjegon atë me asnjë fjalë. Rrëfimi i tij është tejet i thatë. Por, kjo histori e Egjiptit të vjetër mund të shkaktojë ende habi dhe vramendje edhe sot, pas mijëra vjetësh. I ngjan farave, të cilat, të mbyllura hermetikisht për mijëra vjet në dhomat e piramidave, e ruajtën fuqinë mbirëse deri në ditët tona. /Palimpsest/