LAJMI I FUNDIT:

Arsyet pse duhet vaksinuar kundër gripit A (H1N1)

Arsyeja pse vendosa të shkruaj për këtë temë është se shtypi ynë ditor po informon që shumë punonjës shëndetësor kosovarë nuk po pranojnë të vaksinohen kundër gripit në fjalë, pastaj një shok imi mjek/infektolog nga Prishtina po ashtu më konfirmoi se ka shumë pak interesim edhe nga qytetarët për tu vaksinuar, edhe pse në fillim parashihet të vaksinohen punonjësit shëndetësorë dhe të sëmurët kronikë.

Tanimë është e qartë se gripi H1N1 po tregohet shumë më i rrezikshëm dhe më serioz se sa që shumë njerëz dhe mjekë të vendeve të ndryshme kanë menduar. Nga mjekët vlerësohet se nga ky grip rrezikohen më shumë ata që u përkasin ‘grupeve të rrezikut’ si p.sh të sëmurët nga astma, ata nga zemra, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël, pleqtë, ata që kanë imunitet të dobët, por as të shëndoshët nuk janë të imunizuar tërësisht pasi ka pasur raste në vende të ndryshme në botë që kanë vdekur edhe njerëz që kanë qenë të shëndoshë.


Sipas shtypit suedez dhe norvegjez (në Norvegji p.sh. ka mbi 600.000 të infektuar, rreth 25 veta të vdekur), vende këto që po vaksinojnë qytetarët e tyre me të madhe (Franca, Greqia, Amerika, Kina etj. janë vende tjera që po vaksinojnë qytetarët e tyre), gripi atje është kah përhapet me të madhe dhe ekziston frika që me qindra qytetarë mund të vdesin nëse ka vonesa në vaksinim dhe për shkak të motit të ftohtë dhe përhapjes tani më të madhe (në botë kanë vdekur gjer më tani rreth 7.000 veta, në Ukrainë rreth 300 veta së fundi, në Meksikë me qindra të vdekur etj.).

Dihet se këto vende nordike kanë specialistët ndër më të mirët në botë të mjekësisë, kanë sisteme shumë të avancuara shëndetësore, në disa fusha specifike mjekësore janë liderë dhe në shumë tjera krahasohen edhe me amerikanët dhe anglezët.

Në Suedi p.sh. janë vaksinuar mbi 3.3 milionë njerëz (26 nëntor) dhe shumica absolute kanë pasur efekte anësore minimale si pasojë e marrjes së vaksinës si p.sh. kokëdhembje, ënjtje të dorës, ethe kaluese, (gazeta Aftonbladet.se dhe Dagens Nyheter, DN.se). Gjer më 26 nëntor në mbrëmje, në Suedi, kanë vdekur 15 njerëz nga gripi dhe jo nga vaksina kundër tij. Një person ka vdekur më 25 nëntor si pasojë e marrjes së kësaj vaksine por ai kishte kishte sëmundje kronike dhe zemër të transplantuar dhe zemra e tij kishte rënë në kollaps.

Nga 3.3 milionë suedezë që janë vaksinuar, rreth 900 prej tyre kanë pasur efekte të lehta anësore si p.sh ënjtje të dorës, skuqje, lodhje dhe kokëdhembje të vogla, ethe kaluese dhe alergji jo të rrezikshme. Disa të tjerë kanë pësuar rënie të shtypjes së gjakut, marramendje, 3 apo 4 veta kanë veta pësuar alergji dhe dhembje muskulore më serioze.

Edhe pse nuk jam mjek me profesion, mendoj se pas një analize të tillë nga mjekë specialistë të klasit botëror është e qartë se vaksina mbron kundër gripit dhe është preventiva më e mirë për të mbrojtur jetët e njerëzve sesa trajtimi me Tamiflu (pasi një person të infektohet trajtohet me antibiotikë Tamiflu) që në shumë raste të personave të infektuar me grip nuk iu ka shpëtuar jetën. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon marrjen e këtyre vaksinava dhe nënvizon se janë të sigurta.

Në Suedi kanë vdekur nga ky grip 15 veta, kurse në Kosovë 7 veta (dhe dyshohet për dy të tjerë) gjer në këtë mbrëmje kur po e shkruaj këtë shkrim dhe po dua të argumentoj për nevojën imediate të vaksinimit të kosovarëve dhe sigurimit të vaksinave të mjaftueshme për të gjithë përkundër atyre 5.000 copë që kanë ardhur deri tani si donacion nga Turqia.

Gjersa po e shkruaj këtë shkrim, po dëgjoj këtu në RTK një udhëzim shëndetësor për mbajtje të higjienës dhe parandalim të gripit në këtë mënyrë. Personalisht mendoj se kjo është e mirë por nuk mjafton sepse tani ky grip ka kaluar në pandemi dhe duhet marrë masa tjera përkatës preventive si dhe trajtime e përgjigje perëndimore (sikurse disa vende që përmendëm më lartë) për të mbrojtur popullatën.

Përfundimisht duhet që institucionet përkatëse shëndetësore të angazhohen dhe mendoj se është momenti i fundit dhe urgjencë e jashtëzakonshme të informojnë popullin për nevojën e vaksinimit si dhe të sigurojnë vaksina shtesë (p.sh. duke kontaktuar kompanitë prodhuese dhe blerë vaksinat edhe pse edhe kjo ndoshta është pak si vonë!) për tërë popullatën e Kosovës para se të vdesin edhe më shumë Kosovarë dhe të humben jetëra njerëzish për shkak të vonesave burokratike të ndryshme dhe pasivitetit të pakuptueshëm institucional.

(Ky opinion është personal dhe nuk paraqet pikëpamjet e institucionit ku autori është i punësuar)