LAJMI I FUNDIT:

Arsyeja se pse nuk duhet të ndryshohen tekstet e grupit The Prodigy

Arsyeja se pse nuk duhet të ndryshohen tekstet e grupit The Prodigy
Keith Flint

Nga: Luisa Omielan / The Independent
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

Keith Andrew Palmer, ose “Maxim” – siç njihet më së shumti në skenë – ka qenë këngëtari kryesor i grupit The Prodigy, që nga vdekja e Keith Flintit në vitin 2019. Por, shumëçka ka ndryshuar qëkur Flinti vdiq – madje edhe tekstet e disa prej këngëve më të famshme (dhe kontroverse) të grupit.


Tani, “Smack My B**** Up” – i paharrueshëm, nëse mund të thuhet – është ndryshuar për ta hequr referencën fatkeqe dhe groteske ndaj dhunës në familje. Por, nuk jam domosdo e sigurt se ky ndryshim ishte e drejtë.

Në vitin 1997, kur u publikua kënga, pati kritika të duhura. Për vite me radhë, kjo trashëgimi e ka ndjekur grupin. Madje, u votua si “kënga më kontroverse e të gjitha kohërave”.

Për mendimin tim, fakti që flasim se kënga është “kontroverse”, kjo është një gjë e mirë. E detyron dëgjuesin të përballet me shkakun se pse në radhë të parë është problematike.

Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, një në katër gra përjetojnë abuzim në familje. Një telefonatë për abuzim në familje, bëhet për çdo 30 sekonda në polici. Mjerisht, shumica e këtij lloji të abuzimit ndodh prapa dyerve të mbyllura.

Mos lejoni që kuptimi i tij origjinal të errësohet (në vitet e mëparshme, grupi i mbrojti tekstet si “art”). Mbajini ato qëndrime – që ta dimë të gjithë se pse është e gabuar.

Mos më keqkuptoni: është inkurajuese që burrat si Maximi po kërkojnë të ndryshojnë një trashëgimi të keqe. Ndoshta ai i njeh gratë që e kanë përjetuar abuzimin – ose ndoshta është thjesht një çështje e pjekjes së grupit. Me kalimin e kohës dhe me pjekurinë, e kuptoni se disa shaka, tekste dhe komente nuk ia vlenin.

Këtë duhet ta di – jam komediane. Ndonjëherë e kupton se diçka që dikur mendoje se ishte qesharake, në të vërtetë ishte injorancë.

Njerëzit ndryshojnë. Kohët kalojnë – fjalori, frazat dhe shprehjet evoluojnë. Njerëzit piqen.

Por, a jam dakord me ndryshimin e tekstit? Është gjest pozitiv, por ajo këngë pasqyronte qëndrimin që u pranua në atë kohë. A duhet të shkruani diçka të tillë sot? Jo. Dhuna në familje nuk duhet të përdoret kurrë për argëtim. Por, në vend që ta fshijmë historinë, duhet të mësojmë prej saj.

Nëse i ekspozojmë këto këngë dhe i cilësojmë si fyese – nëse i edukojmë njerëzit për problemet që ato kanë – ndoshta nuk i shohim të tjerët duke ndjekur gjurmët e vjetra të grupit The Prodigy. Për faktin që nuk flasim gjithmonë për këto çështje, në vitin 2023 e shohim komedianin Matt Rife duke hapur komedinë Natural Selection, në Netflix, me një shaka për dhunën në familje.

Rife ka grup të madh të femrave që e ndjekin e që kanë luajtur rol në suksesin e tij të madh – duke e shpërndarë përmbajtjen e tij në mediat sociale. Dhe, Netflix-i e njihte audiencën e tij: ata paguanin miliona dollarë për qasje në turmën e tij (turmën jashtëzakonisht femërore) dhe megjithatë ai zgjodhi të godiste.

Me “shaka” të vjetra, të rrezikshme, pse u lejua? Kush mendon se ishte qesharake shakaja për një kameriere që i nxihej syri sepse nuk dinte të gatuante?

Duhet t’i shtrojmë këtë pyetje – dhe të mësojmë nga përgjigjet … ashtu siç duhet të pyesim se pse në radhë të parë The Prodigy e krijoi një hit me “Smack My B**** Up”.

Personalisht, do të doja të shihja një botë ku presim më shumë nga artistët, veçanërisht nga burrat. Si komediane që ka qenë në këtë lojë për gati 20 vjet, kam parë dhe dëgjuar disa nga gjërat më të këqija.

Për mua, lehtësia me të cilën burrat e marrin profesionin dhe ballafaqohen me polemika, nxjerr në pah një standard të dyfishtë të padrejtë. Si grua, komediane, duhet të jesh vazhdimisht qesharake. Një shfaqje e keqe dhe: “Shiko, gratë nuk janë qesharake”. Por, burrat ia dalin.

Qëllimi ka rëndësi. Nëse ka ndonjë shans që audienca ta marrë si të garantuar atë që thua e nuk e sheh ironinë, atëherë po e bëni një shaka të gabuar. E njëjta vlen edhe për interpretuesit e tjerë.

Deri tash, Maxim nuk ka komentuar për këtë çështje – por, duhet. Kjo do të kishte shumë më tepër fuqi sesa ndryshimi i tekstit. /Telegrafi/