Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e ka nisur procesin e riorganizimit dhe reformave në parti, pasi dje kërkoi dorëheqje nga e gjithë udheheqesija, përfshirë edhe të gjithë Kryesinë Ekzekutive. Ky veprim i Filipçes vjen vetëm një muaj pas zgjedhjeve lokale në të cilat LSDM doli me rezultat të dobët. Pas dy orësh debat në selinë e partisë mbrëmë vonë, ku ai kërkoi dorëheqje kolektive, Filipçe theksoi se megjithatë nuk do të ketë zëvendësim të plotë por një freskim, si te nënkryetarët ashtu edhe në Kryesinë Ekzekutive.

Sa do të arrijë LSDM të ngrihet në këmbë me ndryshim të udhëheqësisë dhe vendosjen, siç tha vetë Filipçe, të kuadrove të reja dhe të freskëta – apo a duhen hapa më konkretë? Komunikologu Petar Arsovski thotë se dorëheqjet janë të mira, sepse pas tyre duhet të pasojnë ndryshime më të thella dhe më thelbësore në parti, të cilat janë të domosdoshme.


“Hapi i parë është i mirë, në kuptimin që hapet hapësirë për ndryshime më serioze në zgjidhjet kadrovike, që mund t’i sjellin partisë rezultat më të mirë më tej. Rezultatet tregojnë se atje nevojitet një ndryshim i ideologjisë, pra i doktrinës dhe ofertës politike, siç është rasti kudo tek e majta në Evropë. Pastaj nevojiten ndryshime në organizim dhe në kapacitetin e partisë për të ofruar politika, si dhe në komunikimin me publikun”, theksoi Petar Arsovski – Komunikolog.

Arsovski shton se rezultati i dobët në zgjedhjet lokale nuk është arsyeja vendimtare për këtë veprim, pasi partia është në gjendje të vështirë tashmë prej një periudhe të gjatë. Ai thotë se procesi i reformave nuk do të jetë i lehtë dhe nuk mund të kryhet në afat të shkurtër./TV21/