- Rimëkëmbja socio-ekonomike e Prizrenit përmes arsimit cilësor para-universitar -

Jam i bindur që edhe ju jeni lodhur nga deklaratat e shumta për rëndësinë e sektorit të arsimit për zhvillimin e një vendi dhe premtimet për të vënë arsimin lartë në prioritetet e qeverisjeve qendrore dhe lokale. Them se jeni lodhur, ngase deklaratat e këtilla, gjithmonë kanë mbetur në një dimension mjaft të përgjithshëm dhe utopik të premtimit dhe sot lirisht mund të konstatojmë se vendi ynë ka shumë probleme sistematike në fushën e arsimit. Thjesht, në debatin publik mbi këtë sektor, gjithmonë ka munguar trajtimi konkret i problematikës, përmes ideve dhe iniciativave konkrete. Gjendja e sektorit të arsimit në komunën e Prizrenit, nuk dallon shumë nga gjendja e përgjithshme e arsimit në Kosovë. Arsimi para-universitar, ndonëse një kompetencë e Kuvendit Komunal të Prizrenit, nuk ka gëzuar trajtim dhe kujdes adekuat nga qeveritë e kaluara lokale. Nivelet fillestare të arsimimit, të cilët duhet të prodhojnë individë të shëndoshë për një shoqëri funksionale, janë gjendur shumë poshtë në listën prioritare të politikave publike në nivel lokal të qeverisjes. Sikurse nuk ka mjaftuar sakrifica përgjatë viteve të okupimit, punëtorëve të arsimit fillor dhe të mesëm ende nuk iu është kthyer dinjiteti dhe pozita e merituar në shoqëri.

Këto ditë, megjithatë morëm një lajm shpresëdhënës nga qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Arsimit. Pilot-projekti për kalimin e buxheteve në menaxhim të drejtpërdrejtë të shkollave në tri komuna fillestare, është një hap i duhur, i cili doemos duhet të përcillet me intervenime dhe projekte përcjellëse të qeverive lokale, për të ngritur në këmbë sektorin e arsimit para-universitar. Me procesin e decentralizimit fiskal, do të përfitojnë edhe shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Prizrenit. Në këtë mënyrë ato nuk do të varen kryekëput nga komunat në çështjet financiare. Por, ky fuqizim i shkollave duhet të përcillet me veprime paralele, të cilat janë obligim i qeverisë lokale të Prizrenit.

Aktualisht, shkollat fillore dhe të mesme gjendet larg standardeve të duhura të ofrimit të dijes dhe përgatitjes së të rinjve për arsimim universitar, karrierë dhe jetë të suksesshme. Arsimi para-universitar në komunën e Prizrenit duhet të zhvendoset nga korniza klasike e marrëdhënieve nxënës-mësues, duke kaluar në një qasje shumë-aktorëshe dhe ekstra-kurrikulare. Një arsimim cilësor fillor dhe i mesëm, para se gjithash kërkon involvim të drejtpërdrejtë të nxënësit, mësuesit, prindit, familjes së gjerë, qeverisë lokale, shoqërisë civile dhe komunitetit në kuptimin e gjerë në sistemin dhe procesin e quajtur arsimim. Ndër tjerash, promovimi i rolit prindëror është parakusht i domosdoshëm për arsim cilësor dhe efektiv. Në këtë drejtim, rol qendror do të luante funksionalizimi i Shoqatës së Prindërve përmes programeve dhe trajnimeve speciale për aftësimin e tyre për rol të theksuar në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve. Paralelisht, nxënësve të komunës së Prizrenit, duhet ofruar mundësi eksta-kurrikulare (jashtë programit zyrtar shkollor), në mënyrë që të vijë në shprehje talenti dhe të përsosen shkathtësitë e tyre në fusha të ndryshme. Ky rezultat arrihet me ofrimin e programeve dhe projekteve ekstra-kurrikulare për nxënësit e komunës, në bashkëpunim me organizatat jo-qeveritare të Prizrenit (filma dokumentarë, kore muzikore, inovacion teknologjik, artizanate, etj.). Në anën tjetër, studentët e Prizrenit (që studiojnë në vend dhe jashtë Kosovës) janë një potencial i shkëlqyer për bartjen e përvojave të mira të arsimit nga vendet e botës dhe anagzhim në zhvillimin, përmirësimin dhe implementimin e politikave arsimore në komunën e Prizrenit. Prandaj, themelimi i Forumit të Studentëve të Prizrenit (që studiojnë në Prizren, Kosovë dhe jashtë vendit) do të shërbente si institucion për shkëmbim të përvojave mes studentëve të qytetit dhe ofrim të ekspertizës për politika publike për zhvillim dhe promovim të arsimit në komunë.

Konkretisht, një model i mirë i qeverisjes lokale në politikat e arsimit, duhet të ndërtohet mbi dy shtylla qendrore: i) zhvillimi i kreativitetit dhe përfshrijes sociale të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, përmes rritjes së numrit të aktiviteteve dhe organizimeve kulturore dhe sportive krahas kurrikulës zyrtare të shkollave, dhe ii) ngritja e rolit të edukatorit/mësuesit/arsimtarit nga një rol që kufizohet vetëm në ofrimin dhe bartjen e dijes nëpër objekte shkollore, në një veprimtari më të gjerë edukative dhe shoqërore përmes programeve speciale ekstra-kurrikulare, duke e konsideruar këtë edhe si një impuls shtesë për të ardhurat dhe mirëqenien materiale të këtyre kategorive. Evropa dhe bota ofrojnë shembuj të panumërt të ndikimit të arsimit cilësor në rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të qyteteve dhe shteteve. Tash, rradhën e kemi ne.

(Autori është kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga AAK)