Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren ka miratuar me konsensus ndryshimet e rregullores.

Mbledhja përfundoi pak momente më parë, ndërsa pritet të kalohet për votim në seancë, mëson Top Channel.


Marrëveshja përmban lëshime nga të dyja palët. Mazhoranca ka tërhequr disa propozime që kufizonin kohën e debateve dhe mënyrën e raportimit nga institucionet, ndërsa opozita ka arritur të forcojë mekanizmat e kontrollit parlamentar.

Çfarë tërhoqi PS:

U tërhoq nga propozimi që projektligjet e kërkuara nga BE shqyrtoheshin brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.

U tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare.

Pranoi raportimin në Kuvend të të gjitha institucioneve me detyrë kushtetuese, duke hequr propozimin për të raportuar vetëm në Komisionin Xhafaj.

U pranua që raportimet vjetore të bëhen në komisionet përkatëse sipas fushës.

Çfarë u pranua nga PD:

Kryetari i Kuvendit detyrohet t’i kërkojë institucioneve përgjigje brenda 5 ditëve dhe mund të kërkojë masa disiplinore deri në shkarkim në rast mosreagimi.

Kryetarët e komisioneve janë të detyruar të thërrasin mbledhje ose seanca dëgjimore brenda dy ditëve nga kërkesa e pakicës parlamentare.

Seanca plenare mund të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar.

Masat disiplinore pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit dhe nuk do të llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike.