Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, njoftojnë se sot, rreth orës 15:08 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Bokshiq të komunës së Klinës.

Policia e Kosovës me të pranuar informatën menjëherë ka dal në vend të ngjarjes dhe ka kuptuar se një person ishte i plagosur me armë zjarri.

Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasoje e plagëve të rënda viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës.


Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë i dyshuar për veprën penale “Vrasje e Rëndë”.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore, Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda të cilët kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në rast dhe prova të tjera relevante.


Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të këtij rasti.

Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shteti do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj personit të dyshuar në Gjykatën Themelore të Pejës, përkatësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda./Telegrafi/