Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Istog, i dyshuar për veprat penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armës”.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ngjarja ka ndodhur më 12 nëntor 2025, rreth orës 13:15, në rrugën “Nëna Terezë” në Istog, ku patrulla policore në rroba civile ka vërejtur një veturë të ndaluar.


Gjatë tentativës për ta kontrolluar, i dyshuari ka refuzuar urdhrin e policisë dhe është përpjekur të ikë, përcjell Telegrafi.

Në momentin e arratisjes, ai ka nxjerrë një armë nga brezi dhe ua ka drejtuar zyrtarëve policorë.

Për të shmangur rrezikun, policët kanë përdorur armët zyrtare dhe me urdhër verbal kanë arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin. Gjatë ndërhyrjes, njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime.

Nga i dyshuari janë sekuestruar një armë e tipit Zoraki kalibër 9 mm dhe një karikator.

Pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/