LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet “mbreti i kriptovalutave”

Arrestohet “mbreti i kriptovalutave”

Ish-CEO i firmës së dështuar të kriptomonedhave FTX, Sam Bankman-Fried, është arrestuar në Bahamas me kërkesë të qeverisë së SHBA-së.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, arrestimi u bë të hënën pasi SHBA ngritën kallëzime penale që pritet të zbardhen të martën, sipas avokatit amerikan Damian Williams.


Bankman-Fried kishte qenë nën hetim penal nga autoritetet amerikane dhe bahamiane pas kolapsit të FTX muajin e kaluar.

Firma bëri kërkesë për falimentim më 11 nëntor.

Prokurori i Përgjithshëm, Ryan Pinder tha se Bahamas do ta ekstradojnë “menjëherë” Bankman-Fried në SHBA pasi autoritetet amerikane të bëjnë një kërkesë zyrtare.

FTX e ka selinë në Bahamas dhe Bankman-Fried ka qëndruar kryesisht në kompleksin e tij luksoz Bahamian në Nassau që nga dështimi i kompanisë.

Një zëdhënës i Bankman-Fried nuk kishte asnjë koment të hënën në mbrëmje, shkruan Euronews.

Bankman-Fried ka të drejtë të kundërshtojë ekstradimin e tij, gjë që mund të vonojë por nuk ka gjasa të ndalojë transferimin e tij në SHBA.

Bankman-Fried ishte një nga njerëzit më të pasur në botë në letër, me një vlerë neto të vlerësuar prej 32 miliardë dollarësh. /Telegrafi/