Arrestohet e më pas lirohet gazetari Jetmir Muji, reagon AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është njoftuar nga portali Paparaci, se kameramani Jetmir Muji është arrestuar dhe më pas është dërguar në stacionin policor Qendër në Prishtinë.
AGK thotë se pasi ka dhënë një deklaratë dhe është mbajtur pa ndonjë shpjegim, një prokuror ka urdhëruar lirimin e Mujit.
Asociacioni i Gazetarëve dënon fuqishëm arrestimin dhe mbajtjen arbitrare të Mujit për disa orë në Polici, dhe kërkon përgjegjësi nga ana e Policisë së Kosovës për abuzim me detyrën nga ana e pjesëtarëve të saj.
Ai ishte duke xhiruar për një raport rreth shkollimit të vajzave të Presidentes Osmani, kur është ndaluar nga mbrojtja e afërt e saj, i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar që të fshijë materialet.
"Ky është një sulm i papranueshëm kundër lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim", thuhet në reagim.
















































