Arrestohen dy të dyshuar për dhunë ndaj grave

Dy arrestime janë bërë gjatë së dielës në Lipjan dhe Prishtinë, të dyja këto për shkak të dhunës që kanë ushtruar ndaj grave.
Rasti i parë ndodhi në Lipjan, ku është arrestuar një person i cili kishte rrahur të dashurën e tij një javë më parë.
“Lipjan 01.03.2020 – 13:45. Është arrestuar një i dyshuar mashkull K/Shqiptar i cili para një jave e kishte rrahur të dashurën e tij femër K/Shqiptare, e cila si pasojë ka pranuar tretman mjekësor pasi kishte lëndime të lehta trupore. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, raporton Policia e Kosovës.
Kurse, pasditen e së dielës, policia arrestoi edhe një të dyshuar mashkull, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.
“Prishtinë 01.03.2020 – 18:21. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar i cili kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër K/Shqiptare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raportin e Policisë. /Telegrafi/



















































