Autoritetet arrestuan në Pikën e Kalimit Kufitar, Morinë Gëzim Muharremi,43 vjeç,nga Ferizaj, i shpallur në kërkim nga organet italiane të drejtësisë, i akuzuar për trafik dhe importim droge.

Muharremi kishte importuar në Milano 22 kilogramë heroinë,vepër kjo e kryer në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë. Ai kishte siguruar pesë kilogramë heroinë dhe një sasi lënde tjetër narkotike me qëllim trafikimi.


Autoritetet shqiptare arrestuan edhe Ëolfgang Manfred Schuster,45 vjeç, lindur në Augsburg, Gjermani, i cili është shpallur në kërkim nga organet austriake të drejtësisë.

Gjykata St. Poelten, Austri, ka lëshuar një urdhër arresti për të nën akuzën për mashtrim komercial. Ky shtetas, gjatë periudhës vjeshtë 2008 - shtator 2009, ka kryer në Austri nëntë vepra penale, mashtrime të cilat kanë shkaktuar një dëm total prej 50 mijë Eurosh.

Është arrestuar edhe Leonard Kamburi, 46 vjeç, lindur në Korçë. Kamburi është arrestuar në Selanik me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec e ka dënuar Kamburin me 25 vjet burg, për vrasje në rrethana të tjera cilësuese.

Kamburi kishte vrarë më 6 mars 1994 në qendër të Korçës me thikë Blendi Musllin, pas një grindje për motive të dobëta. /Telegrafi/