Arne Slot lë jashtë parasezonit dy yjet e Liverpoolit – largimet e tyre duken të garantuara

Liverpool ka publikuar listën me 29 lojtarë për turneun parasezonal në Azi, me dy mungesa të rëndësishme. ‘Të Kuqtë’ kanë zhvilluar deri tani dy miqësore, duke mposhtur lehtësisht Preston dhe Stoke City, me një gol të pësuar dhe tetë të shënuar në total. Tashmë skuadra e Arne Slot do të intensifikojë përgatitjet për sezonin e ri me një udhëtim në Lindjen e Largët, ku do të përballen fillimisht me Milan në Hong Kong, e më pas me Yokohama F. Marinos nga Japonia. Lista e plotë e lojtarëve u publikua në faqen zyrtare të klubit të dielën në mbrëmje, dhe përmban dy mungesa të mëdha. I shumëpërfolur për një transferim tek Bayern Munich, Luis Diaz nuk është pjesë e skuadrës që do të udhëtojë, një sinjal i qartë se lojtari është drejt largimit.
Diaz nuk ishte as në listën e ndeshjes ndaj Stoke City, që përfundoi 5-0 me dyer të mbyllura, ndërsa një ofertë prej 58.5 milionë euro nga Bayern është refuzuar kohët e fundit. Por kolumbiani nuk është sulmuesi i vetëm që mungon në këtë turne. Federico Chiesa, i cili shënoi në fitoren ndaj Stoke, gjithashtu nuk është përfshirë në listë. Sipas Fabrizio Romano, italiani është lënë jashtë pasi ‘pritet të largohet këtë verë’. Chiesa u transferua verën e kaluar për rreth 10 milionë, por luajti vetëm 12 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar një gol të vetëm. Skuadra e Liverpoolit për turneun parasezonal: Alisson, Gomez, Endo, Van Dijk, Konate, Diaz, Szoboszlai, Nunez, Mac Allister, Salah, Jones, Gakpo, Elliott, Tsimikas, Robertson, Gravenberch, Doak, Woodman, Mamardashvili, Kerkez, Wirtz, Frimpong, Pecsi, Ngumoha, Misciur, Morton, Bradley, Stephenson, Nyoni./Telegrafi/



































