LAJMI I FUNDIT:

Arkitektura si atraksion për turistët

Arkitektura si atraksion për turistët

Nga: Kliti Kallamata

Xhamia Qendrore e Këlnit në Gjermani është projektuar nga arkitekti i shquar (fitues i çmimit të madh “Pritzker Architecture Prize” më 1986), Gottfried Böhm dhe i biri Paul Böhm.


Është ndoshta xhamia më e madhe në Evropë dhe nga më modernet në botë. Ka një sipërfaqe 4,500 metra katrorë, dy minare 55 m të larta, sallë lutjesh me kapacitet për 4,000 besimtarë si edhe salla leksionesh, bibliotekë, restorant dhe një seri dyqanesh – Pazar që frekuentohet jo vetëm nga besimtarët, por edhe nga njerëz të shumtë jomyslimanë.

Këlni është një qytet me mbi një milion banorë dhe ka 55,000 turq, 8,000 irakianë, 6,000 sirianë, 5,000 iranianë. Nga sondazhet rezultoi se 63 për qind e popullsisë jomyslimane të Këlnit ishin pro ndërtimit të një xhamie në këtë qytet. Ndërtimi i xhamisë u financua nga besimtarët myslimanë në Gjermani.

Megjithëse kjo xhami nuk i përket stilit otoman, aq të dashur për presidentin turk Erdogan, ky nxitoi të merrte pjesë në inaugurimin e saj, madje mbajti edhe një fjalim.

Arkitektura moderne e ka kthyer këtë xhami në një nga objektet më atraktive jo vetëm për turistët, por edhe për banorët e qytetit të Këlnit.