LAJMI I FUNDIT:

ARIU

ARIU
Enes Haliloviq

Nga: Enes Haliloviq
Përktheu: Salajdin Salihu

Ndodhi në një kohë të turbullt, kur u shfaqën celularët. Isha gazetar, me honorar. Për të fituar diçka, ngado kërkoja diçka interesante. Dhe më thotë një profesor i letërsisë, një shakaxhi, se është një Tasko Muriqi nga Rozhaja, i cili, duke ikur nga ariu, qe ngjitur në një dru. Sakaq i qe kujtuar t’i lajmëronte djemtë nëpërmjet celularit. Ata vrapuan dhe me pushkë e vranë ariun.


Lajmin e shpërndava në agjencinë gazetareske ku punoja. Pas saj e botuan të gjitha gazetat. Ky ishte shembulli i parë se si celulari i shërbeu, të themi, një njeriu të thjeshtë. Flisja me krenari se si mund të formësohej opinioni publik vetëm nëpërmjet një ndodhie në mal. Dhe vjen shakaxhiu, profesori i letërsisë, e më thotë: Je mashtruar, sepse të gjitha unë i kam sajuar! Tasko Muriqi as nuk ka ikur nga ariu, as nuk ka celular.

Mirë. Çfarë të bëj? Jam mashtruar. Aspak e çuditshme. Nuk ka ndodhur ajo që edhe mund të ndodhte. Pas një kohe shkoj me punë në Rozhajë dhe e kërkoj Tasko Muriqin sepse kisha drojë nga ndonjë padi. Dhe pyes nëse ekzistonte ky njeri. Ekziston, më thonë. E gjej, në treg, e pasi është ditë tregu, shoh njerëzit si janë mbledhur rreth tij. Ai u rrëfen se si e kishte ndjekur ariu, se si iu kujtua t’i lajmëronte djemtë, që kishin vrapuar me pushkët në krahë dhe e kishin shpëtuar. Ai rrëfen, rrëfen dhe kënaqet, kurse populli e dëgjon. Unë i afrohem Tasko Muriqit. I prezantohem. I them se dua të bisedojmë diçka sy më sy… ai bëhet serioz. Largohemi pak nga kureshtarët… zotëri, më thotë Tasko Muriqi, ma thotë me zë të ulët, zotëri i nderuar, unë e rrëfej gjithë atë që është shkruar nëpër gazeta. Kam blerë edhe telefon. Të gjithë më besojnë. Mos u shqetësoni. /Revista “Akademia”/Telegrafi/