LAJMI I FUNDIT:

Kryetari i Preshevës kërkon “Fond Kombëtar të Solidaritetit” për Luginën

Kryetari i Preshevës kërkon “Fond Kombëtar të Solidaritetit” për Luginën

Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, konsideron se është e nevojshme themelimin e një Fondi Kombëtar të Solidaritetit” për Luginën e Preshevës.

Përmes një shkrimi, Arifi ka thënë se pas debateve të fundit, duhet të rezultojnë projekte preventive dhe strategjike kombëtare për t’i plotësuar aspiratat, nevojat si dhe interesat e ndërsjella të shqiptarëve (të shpërndarë) në trevat e Ballkanit.


Sipas tij,  harmonizimet e brendshme politike shqiptare si dhe pozicionimet e qarta të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë me politikat zhvillimore, do të ndihmonin në integrimin e mirëfilltë të jashtëm, duke hapur kështu rrugën  drejt anëtarësimit të plotë të shqiptarëve në Bashkimin Europian.

“Si një faktor kohezioni në rrethana të tilla historikisht kanë shërbyer edhe fondet inventive, që kanë për qëllim menaxhimin dhe mënjanimin e problemeve të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare. Një mekanizëm i përbashkët i cili do të siguronte zbatimin e të drejtës kolektive shqiptare si dhe zhvillimin e sferave vitale në Luginës së Preshevës do të ishte edhe iniciativa për themelimin e një “Fondi Kombëtar të Solidaritetit”,ku Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë bashkërisht do të përkujdesen për ndarjen e një përqindje të vogël nga buxheti i konsoliduar vjetor i këtyre dy shteteve. Modalitetet dhe përshtatja e tyre do të ishte e diskutueshme, ndërkaq fondi do të shërbente ekskluzivisht për zhvillimin e projekteve të rëndësishme në sferat e arsimit, shkencës, artit, kulturës, revitalizimit infrastrukturor, mbrojtjes së ambientit, zhvillimit ekonomik, konkurrencës dhe hapjes së vendeve të reja të punës”, ka thënë Arifi.

Ai ka marrë shembull modelin Gjerman të vitit 1991 si dhe konfederatat zvicerane.

“Si model funksionimi mundet të merret Gjermania me të ashtuquajturën “Solidaritätszuschlag” e cila është themeluar në vitin 1991 si tatim shtesë mbi të ardhurat personale dhe ka shërbyer së pari për mbulimin e shpenzimeve gjatë luftës së dytë në Gjirin Persik dhe që nga viti 1995 ishte mekanizëm për financimin e kostove të ri-bashkimit të Gjermanisë perëndimore dhe asaj lindore.”

“Po ashtu si shembull mund të shërbej edhe Konfederata Zvicerane me “Nationale Finanzausgleich” me të cilën arrihet një solidarizim financiar i kantoneve me një ekonomi të zhvilluar me kantonet tjera simotra të cilat për shkaqe objektive nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura vjetore të mjaftueshme. Gjithashtu në këto suaza kemi edhe shtete tjera që kanë themeluar fonde të tilla me rastin e ballafaqimit të tyre me krizën bankare, apo në forma të agjensioneve zhvillimore ndërkombëtare siç është USAID-i amerikan e të tjerë”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Arfi me më tej ka thënë se Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë duhet të përkujdeset me projekte konkrete për vëllezërit dhe motrat në Luginën e Preshevës, meqë Lugina po sfidohet me mbijetesë!

“Duhet me çdo kusht të hartojmë një strategji të re me një mekanizëm të përbashkët si “Fondi Kombëtar i Solidaritetit” në kërkimin e zgjidhjeve të zbatueshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës e cila do të reflektohet në progresin politik, ekonomik, social dhe do të ishte pjesë e paqes dhe stabilitetit demokratik në rajon”.

“Fondi Kombëtar i Solidaritetit” do të ishte një garanci e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për mënjanimin e shkeljeve sistematike të drejtave shqiptare dhe represionit të përhershëm. Është koha kur Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë të përkujdeset me projekte konkrete për vëllezërit dhe motrat në Luginën e Preshevës, meqë Lugina po sfidohet me mbijetesë”, theksoi ai. /Telegrafi