LAJMI I FUNDIT:

Arbërie Nagavci dënon ashpër gjuhën e përdorur ndaj Kusari-Lilës

Arbërie Nagavci dënon ashpër gjuhën e përdorur ndaj Kusari-Lilës

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si të papranueshëm dhe bëri thirrje që të dënohet ashpër, gjuha seksiste dhe denigruese që, sipas saj, e ka përdorur kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa.

Ajo bëri thirrje që të punohet më shumë për edukim dhe arsimim të mirëfilltë në mënyrë që, siç tha ajo, t’i zhdukin pabarazitë, diskriminimin, por edhe tendencat për përfitime politike duke u viktimizuar apo duke i parë gratë e vajzat vetëm si numër.


Postimi i plotë i Nagavcit në Facebook:

“Kryetari i PDK-së në Gjakovë dhe kandidati për deputet Hajdar Beqa, e quajti sot “Prostitutë politike” zonj. Mimoza Kusari.

Nuk është hera e pare që zyrtarë të lartë të PDK-së përdorin këtë gjuhë seksiste dhe denigruese, nuk duhet harruar dhe gjuhën që pati përdorur Kadri Veseli ndaj deputetes Albulena Haxhiu. Kjo gjuhë është e papranueshme jo vetëm në debatin politik, por edhe në përditshmëri dhe duhet të dënohet ashpër nga të gjithë ne!

Pa dashur të komentoj vendimin e kryetares Kusari, sepse mendoj se janë qytetarët ata që vlerësojnë më së miri, pa marrë parasyshë arsyeshmërinë e këtij vendimi në këtë kohë, pasi për bindjen time ky koalicion as që është dashur të bëhej fare dhe pa dashur të komentoj performancën e drejtorëve, pasi tashmë dihet se rezultatet lënë shumë për të dëshiruar, mendoj se të gjithë ne duhet të angazhohemi, që gjuha e tillë duhet të pushoj së përdoruri njëherë e përgjithmonë dhe të gjithë ata që e përdorin jo vetëm të mbahen përgjegjës, por edhe të privohen nga e drejta të përfaqësojnë në institucionet tona.

Duhet të punojmë shumë për edukim dhe arsimim të mirëfilltë, në mënyrë që të zhdukim pabarazitë, diskriminimin, por edhe tendencat për përfitime politike duke u viktimizuar apo duke i parë grate e vajzat vetëm si numër. Ne duhet të nisim një mobilizim shtetëror e mbarë popullor kundër diskriminimit të gruas në ekonomi, politikë e shoqëri.

Ndryshimit i madh tashmë ka filluar, burra e gra guximtare dhe të ditura, eksperte dhe aktiviste, patriote dhe punëtore duhet të angazhohen për Kosovën me të drejtat e barabarta të Gruas!”