LAJMI I FUNDIT:

Aplikanomacia evropiane në Maqedoni!

Rregullimi i raporteve midis popujve dhe individëve të caktuar bëhet mbi disa baza të cilat baza munden të jenë krejtësisht të padrejta ndaj realitetit shoqëror. Gjithçka nuk varet nga ky rregullim i raporteve shoqërore, por pjesa dërmuese e elementeve identifikuese fshehët aty. Politika zë rrethin më të gjerë të termit raport shoqëror, dhe si e tillë ajo duhet të luaj rolin kryesor integrues. Por, thelbi i veprimtarisë shoqërore nuk guxon që të arsyetohet me rolin e vetëdijesimit politik të individit dhe popujve të ndryshëm.

Identiteti i punëve të realizuara në skenën e përbashkët, ka nevojë për një rifreskim me një mentalitet pak më ndryshe prej atij të paraqiturit në agjendë. Të gjitha agjendat nuk realizohen deri në përfundim ashtu si janë të parashkruara. Madje disa prej tyre as nuk nisin rrugëtimin e realizimit të tyre për shkak të vetë mahnitjes dhe veseve jo të mira të bartësve të këtyre agjendave.


Maqedonia dhe Gadishulli Ballkanik janë të mbushura e stërmbushura me agjenda evropiane. Gjuha e komunikimit midis njerëzve në këto territore është bërë gjuhë e parashikimit dhe mbamendjes evropiane duke mos u kujdesur aspak prej asimilimit të kodekseve ideologjike të popujve që jetojnë në këto vende. Të gjitha eksperimentet që parashkruhen në letër në Perëndimin e “egër” vinë dhe aplikohen këtu tek ne, ndër nesh, duke u bërë ne si individ dhe shoqëri vegla pa vetëdije të këtyre eksperimenteve.

Vetëm një fjalë e komisarit evropian për politikë të jashtme, ndryshon strukturën e komplet shtetit të quajtur Maqedoni. Edhe pse edhe emri kushtetues i këtij shteti është në rrezik dhe nuk është i mbrojtur prej këtyre eksperimentuesve mbi ne, prapë se prapë kësaj valleje i thonë u martuam me ty, por ti nuk ke asnjëfarë obligimi ndaj nesh përveç seksit.

Kjo lloj lidhjeje midis përfaqësuesve evropian dhe përfaqësuesve politik tanë, po dëmton mjaft vet pozitën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Ky lloj trajtimi i përfaqësuesve evropian ndaj politikës ditore në Maqedoni stimulon dhe nxitë nacionalizmin maqedonas duke krijuar një term të ri në skenën e paragjykimeve e të quajtur etnocentrizëm ndaj shqiptarëve dhe gjithë të tjerëve që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni.

Maqedonia vetëm duke u bazuar në disa shenja të dhëna nga Unioni Evropian, po mundohet që të ndryshojë dhe të ridizajnojë komplet strukturën politike dhe ekonomike të këtij vendi. Gjërat po ndodhin me aq shpejtësi sa që njeriu kur merr të shkruajë për ndonjë fenomen në Maqedoni detyrohet që të përmbledh shumë gjëra, pasi që nuk ka kohë të ndalet një nga një tek të gjitha fenomenet politiko-shoqërore që ndodhin në këtë vend.

Duke u bazuar në alibitë e tyre për futjen në Unionin Evropian, maqedonasit gjuhën e tyre e bënë të obligueshme qysh prej klasës së parë edhe për nxënësit shqiptar. Tendencat e tyre nuk ndalen me kaq, por ato vazhdojnë më tej edhe me veprime tjera të qeverisë së “monarkut” Nikolla Gruevski i cili gjen miliona mënyra se si ti shtyp shqiptarët e këtij vendi edhe atë duke u arsyetuar me pamfletet e tij të jashtme se kinse kështu e kërkon veprimtaria politike për futje në Unionin Evropian.

Pavarësisht prej modelimit të disa veprimeve të sakta që janë ndërmarrë nga ana e kësaj qeverie, prapë se prapë ajo fytyra e fshehur e saj po del shpesh herë në pah me disa veprime të qëllimshme ndaj komunitetit shqiptar dhe islam në këtë vend. Ligji për ndërrimin e letërnjoftimeve, krijoi një kaos të madh në mesin e popullatës sonë. Nëse nuk respektohet afati i caktuar, do të pasonte dënimi prej 9000 denarësh, ndërsa këndej informimi i qytetarëve për ndërrim të letërnjoftimeve është bërë shumë vonë.

Tollovia e krijuar në sportelet e pritjes për të ndërruar letërnjoftimet është një pasqyrim i qartë i politikës së ngutjes së kësaj qeverie.

Kryeministri Gruevski këto ditë u takua me homologun e tij grek Papandreu në Prespë, me iniciativë të kryeministrit shqiptar Sali Berisha. Edhe pas këtij takimi qëndrimet nuk kanë ndryshuar dhe pozicioni i Maqedonisë gjithmonë është duke u ngushtuar nga ana e presionit ndërkombëtar për ndryshimin e emrit kushtetues të këtij vendi.

Presionet e këtilla diplomatike të ndërkombëtareve nuk gjenden në vijë të drejtë me realitetin politik që mbretëron në Maqedoni. Ata shpikën një term të paqenë deri më tani në raportet diplomatike “aplikanomaci” me qëllim që të qethin gjithçka që nuk shkon në favor me to. Ndërkaq pozicioni i Serbisë në mbështetjen e Greqisë me rastin e kontestit të saj me Maqedoninë në lidhje me emrin e saj kushtetues është tejet dyfytyrësh dhe i padrejtë për maqedonasit.

Sido që të jetë çdo tentim për tu afruar në Unionin Evropian nga ana e Maqedonisë, po kushton me diskriminime plus ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo gjë ndodh qëllimisht kështu, për arsye se politika maqedonase dëshiron që shqiptarët ti bëj fajtor për mos afrimin e Maqedonisë në Unionin Evropian dhe në NATO. Por, drejtësia edhe pse vonon, ajo gjithmonë i del në krah palëve që iu është bërë padrejtësi. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me këtë politikë të egër të sllavëve maqedonas.