Apeli i GJKKO ‘rihap’ dosjen e kryebashkiakes së Lushnjës Eriselda Sefa

Gjykata e Posaçme e Apelit ka urdhëruar SPAK të hetojë kryebashkiaken socialiste të Lushnjës, Eriselda Sefa.
Prej 30 shtatorit kjo e fundit është nën hetim mbi një kallëzim të një qytetari për falsifikim dokumentesh dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, raporton euronews.al.
SPAK kërkoi pushimin e çështjes duke marrë edhe aprovimin e Shkallës së Parë, por qytetari A.H ankimoi vendimin në Apelin Antikorrupsion.
Sipas kallëzuesit, kryebashkiakja ka kryer shkelje në procedurën e ndjekur për dhënien me qira të një pasurie publike në qendër të qytetit, ku pretendon se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga Këshilli Bashkiak Lushnje dhe Kryetarja e Bashkisë së këtij qyteti.
Kallëzuesi pretendon se ka pasur falsifikime në shkresa si dhe mbi procesverbale të dëgjesave publike ashtu edhe në projektin për miratimin e dhënies me qira të një ambienti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.
Sefa është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, dhe konkretisht më 14 janar të këtij viti, por ajo nuk preferoi t’i përgjigjej interesit të mediave.

















































