Një ndër veprat më të rëndësishme filozofike dhe në shkenca shoqërore të shekullit të kaluar është padyshim libri “Teoria e drejtësisë” nga amerikani John Rawls, shkruar dyzet vite më parë. Ai aty rigjallëron traditën e John Lock, Rousseas dhe Kantit mbi nevojën e një kontrate shoqërore të bazuar në liri dhe barazi të qytetarëve.

Duke vështruar drejtësinë nga këndi teorik, Rawlsi e zhvillon teorinë e tij mbi drejtësinë duke e postuluar atë nën konceptin “drejtësia si korrektësi/paanshmëri” (justice as fairness).


Sipas kësaj qasje teorike, drejtësia varet kryesisht nga ajo se si institucionet kryesore sociale bëjnë shpërndarjen e të drejtave dhe detyrimeve themelore dhe si i caktojnë ndarjen e të mirave në shoqëri. Mirëpo për të pasur në një shoqëri vërtetë drejtësi, janë të nevojshme që të respektohen këto parime themelore: liritë bazike për të gjithë, mundësi të barabarta dhe të drejtë, si dhe këto t’ iu japin përparësi pjesëtarëve më të rrezikuar (least-advantage) të shoqërisë.

Teoria e drejtësisë përfshin edhe dy koncepte të ndryshme etike, atë të së mirës dhe të drejtës, që janë të ndërvarura, por duke i dhënë përparësi kësaj të fundit. Kjo pasi që e drejta ka për synim shtimin e të mirave, pavarësisht a janë këto të mira materiale apo jo.

Përtej këtij vështrimi teorik, në Kosovë ditëve e javëve të fundit është duke u debatuar e komentuar mjaft rreth “sundimit të ligjit”, “luftës kundër korrupsionit” e shumëçka tjetër por jo edhe për drejtësinë. Nuk është fjala për drejtësinë vetëm në sensin e respektimit të ligjit, por edhe në drejtësinë si kategori etike e si normë shoqërore.

Kështu, në Kosovë mungon shpërndarja e drejtë e të mirave, ku kemi politikan gjithnjë e më të pasur dhe qytetar përherë e më të varfër, këtu mungojnë mundësitë e barabarta p.sh gjatë punësimit, e kështu me radhë. Prandaj, për të çrrënjosur korrupsionin ose krimin e organizuar, kjo shoqëri duhet fillimisht që të filloj të reflektoj rreth konceptit të drejtësisë respektivisht se çka është e drejtë dhe çka e padrejtë.

Kujtoni vetëm mungesën e sigurimit shëndetësor, 20% e papaguar të punëtoreve nga ndërmarrjet e privatizuara, shitja e banesave me metër katror të rrejshëm (me stilin bruto e neto!), familjarizmin e klientilizmin gjatë punësimit, uzurpimi i pronave publike, e shumëçka tjetër. Dukuri të cilat nuk mund të zgjidhen me një fushatë kundër korrupsionit e as nga EULEX-i, por mund të luftohen vetëm atëherë kur ky popull vetëdijesohet dhe nuk i mbyll sytë para padrejtësive.

Tekefundit, drejtësia përkufizohet nga vet shoqëria prandaj padrejtësitë duhet të sanksionohen fillimisht nga ajo. Përndryshe nëse edhe drejtësia mbetet çështje pazaresh, e privilegjesh dhe vihet në ankand se dikush me pozita e dikush me të holla mund të siguroj atë, atëherë kjo shoqëri e ky shtet vërtetë ka dështuar.

(Autori është ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës)