Ane Slot tregon pikën e dobët të Liverpoolit - aty ku i befasoi Milani
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka reflektuar mbi humbjen 4-2 ndaj Milanit në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Hong Kong, duke theksuar aspektet pozitive, por edhe nevojën për përmirësim në disa fusha kyçe.
Në konferencën për shtyp pas takimit, holandezi tha: “Pashë disa gjëra të mira, por mendoj se duhet të përmirësohemi edhe në disa fusha”.
Slot theksoi se mungesa e disa prej lojtarëve kryesorë ndikoi në organizimin dhe performancën e skuadrës: “Sot u kundërsulmuam shumë, por kjo ndoshta ka të bëjë edhe me faktin se na munguan shtatë lojtarë të nivelit të lartë dhe donim t'u jepnim kohë loje 20 lojtarëve. Si rezultat i kësaj, shumë lojtarë nuk luajtën në pozicionin e tyre”.
Megjithëse e pranoi se struktura mbrojtëse nuk ishte në nivelin e duhur, trajneri i ri i “Reds” u shpreh i kënaqur me disa aspekte të lojës ofensive: “Ne prapë ishim në gjendje të luanim lojën tonë normale, por ishim paksa shumë të hapur herë pas here në kundërsulm”.
Liverpooli tregoi shkëndija pozitive në pjesën e parë, që u mbyll në barazim 1-1, por pas pushimit, me rotacion të thellë dhe lojtarë jashtë pozicioneve natyrale, skuadra nuk arriti të mbante ritmin.
Ky test ishte pjesë e përgatitjeve verore të Liverpoolit, ndërsa Slot vazhdon të eksperimentojë dhe të kërkojë balancën e duhur në prag të sezonit të ri. /Telegrafi/






























