LAJMI I FUNDIT:

Analiza sociologjike e imazhit të filmit “Sofia”

Analiza sociologjike e imazhit të filmit “Sofia”

Nga: Eva Sinanaj

Natyrisht, jo publiciteti i madh i filmit, por ato fjalët e thjeshta dhe të ndjera me zemër të regjisorit Eduart       Grishaj në intervistat e fundit më bën të mendoj se ky film shqiptar duhej parë.


Nuk u pendova, pasi filmi më dhuroi emocion dhe më nxiti dëshirën për të shkruar ketë analizë sociologjike imazhi. Shpesh me studentët e mi vendos filma shqiptarë të para viteve ‘90-të, për t’i analizuar pjesët kanunore, detaje, vlera, norma apo simbole kulturore të traditës sonë të familjes shqiptare.

Sa bukur nisi ky film me shprehjen aq humane të At Zef Pllumit: “Kur njeriut t’i mungojë zemra, nuk asht ma njeri”. Çfarë mesazhi dashurie njerëzore.

Filmi fillon me emocione jete. Ngjarjet zhvillohen në dy kohë dhe tregohet një vijimësi e vlerave tona, e traditës së shqiptarit. Mikpritja dhe bujaria, me të cilën ai të bujt në shtëpinë e tij. Duket se nga kjo mikpritje merr nxitje dhe zhvillohen gjithë ngjarjet. Ajo mikpritja dhe besa që i jepet mikut, kur të vjen në shtëpi. Ai është i plotfuqishëm dhe i paprekshëm. I zoti i shtëpisë e ruan dhe e nderon deri sa ai largohet. Aq forcë ka kjo vlerë dhe kjo traditë, sa i jep imunitet edhe armikut më të përbetuar.

Duket se kjo vlerë është aq e lartë dhe e pakundërshtueshme sa e mposht edhe marrjen e gjakut. Paradoksi i ngjarjes qëndron se ky mik i ardhur në derën e gurtë të malësorit shqiptar, jo vetëm ishte armiku i luftës së kohës, por kishte vrarë të birin e kësaj shtëpie. Qartazi duket pushteti mbi pushtetin, pushteti i mikut, mikpritja.

Ky film të bën të qash me lot kur tregon se si gruaja shqiptare qëndron e fortë kur djalin ja kanë vrarë, qëndron krenare se ai ra si trim dhe dinjitoze në një dhimbje të madhe. E mira, e bukura gruaja dhe nëna jonë shqiptare. Shquhet në film se familja, shtëpia ka pushtetin e saj dhe nderi apo mikpritja e një familje ruhet dhe mbrohet nga e gjithë shoqëria. Në fakt, roli i gruas dhe rëndësia e saj përherë kanë qenë të mirëpërcaktuara dhe të mbrojtura në atë shoqëri dhe në drejtat kanunore. Ishte kjo grua që në film mbrojti mikun e shtëpisë së saj nga shumë burra dhe fjala e saj jo vetëm u dëgjua, por u zbatua në heshtje nga këta luftëtar trima. Mjaftojnë detajet e sjella (veshjet tradicionale, vajtimi, shtrojat, buka, zjarri etj.) për të kuptuar dhe risjellë në kujtesë mënyrën e jetesës së familjes shqiptare të viteve ‘40-të. Shikojmë burra trima që luftojnë, gra, zonja që mbajnë shtëpitë hapur dhe një komunitet që respektohet ndër veti dhe ruajnë së bashku traditën, zakonet dhe vlerat tona kombëtare.

Me shumë delikatesë dhe maturi përshkruhet me pak fjali në film një periudhë e gjatë shqiptare, vitet e komunizmit. Burrnesha jonë kishte vdekur në internimin komunist nga uria. Ishte dënuar se kishte nderuar dhe lartësuar vlerat dhe kulturën tonë. Ah ne shqiptarët kur s’duhet, i flakim të mirët. E në vend t’i lartësojmë ju bëjmë gropën. Karma i dashur shqiptar ti rikthen ndër breza dhe askush nuk i merr pasojat veç teje. Ja kështu mes internimeve, mes mendësive e luftës së vetvetes shqiptari i ruajti dhe i përcolli vlerat e larta dhe traditën kombëtare. E sjell shumë bukur dhe me mjaft natyralitet, si diçka organike mikpritjen te familja e sotme shqiptare, e cila i hap derën mikut të mikut, e ul në vatër dhe e përcjell buza gaz.

Arbri, me emrin domethënës, tregon më së miri të portretizuar në film, djaloshin bukurosh shqiptar të ditëve të sotme, që braktis një jetë jashtë trojeve shqiptare, për t’u rikthyer dhe qëndruar pranë babait të sëmurë dhe për të ndjekur bizneset e tij familjare. Del këtu qartë se si fëmijët shqiptarë u qëndrojnë pranë prindërve, por edhe se si prindërit shqiptarë modelojnë ëndrrat e tyre mbi ta. Arbri, ky talent muzike që u shndërrua në një menaxher biznesi (realizim dhe orientim i familjes) tregon një realitet ku shumica e fëmijëve bindet ndaj kërkesave prindërore. Si kemi vlerat tona familjare kemi dhe mangësi të reflektuara në mjaft detaje dhe sjellje prindërore. Arbri ju gjend pranë Sofisë sonë serbe, studentes së bukur dhe të thjesht, e cila studionte gjuhën shqipe në mes të Beogradit. Ju gjend pranë jo sepse ajo ishte superstar, por se ne shqiptaret e kemi, edhe pse në rënie ndjenjë e vullnetarizmit. Kur dikush na kërkon ndihmë, ne nuk e kursejmë atë dhe bëjmë shumë mirë. Në rastin konkret Arbri e ndihmoi Sofinë të gjej të shkuarën, pa asgjë në këmbim, thjesht lartësoi figurën tonë kombëtarë. Në film dinamika e ngjarjeve mes Arbrit dhe Sofisë ndodh brenda një jave dhe këtu më vjen në mendje dashuria e të rinjve të ditëve të sotme në Shqipëri. Sa shpejt dashurohen dhe kuptojnë se janë për njeri-tjetrin. E nisin me një flirt çatimesh dhe shpejt përfundojnë në shtrat. Nuk i japin kohë vetes dhe tjetrit, për të pasur një njohje cilësore normale dhe njerëzore e si pasoj e saj krijohet dhe formohet një familje me baza të shëndosha.

Dëshiroj të ndalem pak te familja e viteve ‘40-të, e cila shfaqet në film, tip ike, tradicionale me tre breza, ndërsa sot ajo që u shfaq me tre breza ishte familja serbe. Duket se gjyshërit nuk po jetojnë më me ne dhe ne jemi kthyer në një familje bërthamë moderne. Shfaqet në film tellalli që njofton majë maleve ngjarjet e jetës së viteve ‘40-të. Po ashtu, shfaqet shumë real edhe shoferi i taksisë së aeroportit si kontakti i parë i çdo të huaji me Shqipërinë. Një model shqiptari që të pyet rrënjë e dhëmballë se prej nga je dhe i kujt je dhe nënvleftëson vendin e tij, gjuhën e tij. Ky është shqiptari që nuk di çfarë do dhe nuk vlerëson çfarë ka. Ky shqiptar nuk i mat fjalët dhe nuk peshon vlerën e tyre. Ai të hedh poshtë, të shkelmon pa shkak dhe arsye të nevojshme. Ky është shqiptari “jo antishqiptar, por në tranzicion me vetveten”, që për pak ose aspak gjë të flak emrin, flamurin, gjuhën.

Prezantohet në film me pak detaje, por tepër domethënëse për shikuesin e huaj, ajo pjesë e mirë e Shqipërisë së sotme urbane, sheshet me emrat e heronjve tanë kombëtarë si sheshi “Skënderbej” apo aeroporti “Nënë Tereza”. Më pëlqyen këto detaje me funksione latente dhe kuptimplota. Me këta sy duhet ta shikojmë të mirën qe e kemi, jo të mbivlerësojmë vetveten, por ta duam dhe shpërfaqim të mirën kombëtare.

Nëse e shikojmë realitetin me sytë e së vërtetës dhe ndalemi veç pak në reflektim, vetëreflektim mbi ata që vërtet kanë marrë plumbin në mes gjoksit, për të ardhur ne deri ku kemi mbërritur sot. Të besojmë tek e shkuara dhe tek ato vlera që na bëjnë të ndihemi mirë e krenar.

Të kontribuojmë tek e tashmja, për të ruajtur standardin dhe çuar përpara, në mos ta shtojmë, të mos e zhdukim të mirën në mesin tonë. Dëgjoni zërin e brendshëm dhe besoni se nuk jemi thjesht të mirë, por jemi të mrekullueshëm, gjithsecili prej nesh në një formë a në një tjetër. Duhet ta besojmë të gjithë se nuk jemi të “mallkuar”, por jemi të bekuar.

Mos t’i vëmë emra kombesh, shtetesh njerëzve. T’i quajmë vetëm individ me zemër dhe dashuri për jetën, për tjetrin. Historitë gjeopolitike mbartin ngarkesa emocionale, marrin ngjyresa politike dhe sjellin emocione në shumicën e rasteve negative. Sa bukur erdhi mesazhi i filmit te ne! Nëse flasim me gjuhën e dashurisë njerëzore për veten dhe për tjetrin vetëm lartësohemi, lumturohemi dhe fortësohemi. Në ditët që jetojmë, në të ashtu quajturën shoqëri globale, globalizim, kufijtë tokësorë nuk duhet të burgosin mendjet tona. Vetëm dashuria mund të shpëtojë njeriun dhe botën kaotike, në të cilin ai jeton.

Me këtë film lotova dhe qesha. Ishte gjithçka për çfarë syri kishte nevojë të shikojë dhe veshi të dëgjojë. Kishte aty histori, mallëngjim, traditë, kulturë, aktualitet, realizëm dhe dashuri. Shumë dashuri për jetën, për tjetrin, shumë dashuri për njeriun.

Si e do zakoni një dolli me fund për të gjithë kastën e aktorëve dhe ata që kanë punuar dhe nuk shfaqen me imazh dhe zë në film, por kanë dhënë mendje e shpirt në këtë projekt.

Vetëm punët e bëra me përgjegjësi dhe devotshmëri sjellin emocione të mira sikur kjo e juaja. Me zemër i uroj suksese regjisorit tonë shqiptar që pati dashuri, maturi dhe këmbëngulje, për të vënë këtë tullë me vlera kombëtare në kinematografinë tonë, dhe pati vizionin ta shpërfaq edhe në diasporë, atje te mërgimtarët e shtuar dekadën e fundit, për të qenë bashkë shpirtërisht. Faleminderit!

Më mirë të duhemi se sa në forma të ndryshme të vritemi mes veti. Po e mbyll këtë analizë sociologjike të imazhit të filmit “Sofia” me frazën kuptimplotë të cituar në të, nga e madhja aktore e jona, znj. Rita Gjeka “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”.

T’i duam e t’i nderojmë të tre!

Në trend Kultura

Më shumë
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Kulture
Biçikleta

Biçikleta

Edison Ypi
“PSE SHKOVE”

“PSE SHKOVE”

Poezi
Fjala nga hija

Fjala nga hija

Kulture
DIKUR ISHA

DIKUR ISHA

Poezi
Kalo në kategori