Investitori dhe analisti i njohur, Peter Schiff, i cili fitoi famë ndërkombëtare për parashikimin e saktë të krizës financiare të vitit 2008, ka hedhur alarmin mbi situatën aktuale ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

Ai paralajmëron se dollari amerikan po përballet me një kolaps të mundshëm dhe ekonomia amerikane mund të përjetojë një krizë që tejkalon në shkallë atë të vitit 2008.


“Bota po heq tapetin nga poshtë Shteteve të Bashkuara”, tha Schiff në një intervistë të fundit dhe shtoi se “dollari do të kolapsojë dhe së shpejti do të zëvendësohet nga ari. Bankat qendrore po blejnë ar dhe po largohen nga dollarët”.

Analisti thekson se kjo nuk është një krizë financiare globale, por një krizë specifike amerikane. “Pjesa tjetër e botës në fakt mund të përfitojë nga kjo situatë”, shtoi ai, duke nënvizuar se efektet negative do të ndihen kryesisht brenda SHBA-së.

Sipas Schiff, “flluska është tek dollari dhe tek ekonomia amerikane”. Ai paralajmëron se ekonomia amerikane po mbështetet në struktura të brishta financiare, dhe çdo lëvizje e gabuar mund të shkaktojë pasoja dramatike për investitorët dhe qytetarët amerikanë.

Shifrat e fundit tregojnë se bankat qendrore në botë po rrisin rezervat e arit, ndërsa dollari po humbet gradualisht pozicionin e tij si monedha kryesore ndërkombëtare. Ekspertët paralajmërojnë se një kolaps i mundshëm mund të ndikojë në tregjet globale, çmimet e mallrave dhe tregtinë ndërkombëtare.

Schiff ka bërë një thirrje për vigjilencë dhe kujdes në investime, duke theksuar se koha për të marrë masa paraprake është tani, përpara se situata të përkeqësohet. /Telegrafi/