LAJMI I FUNDIT:

Njohësit e rrethanave politike thonë se marrëveshja finale nuk garanton anëtarësimin e Kosovës në OKB” (Video)

Njohësit e rrethanave politike thonë se marrëveshja finale nuk garanton anëtarësimin e Kosovës në OKB” (Video)

Përfaqësuesit e Kosovës kërkojnë që në marrëveshjen finale me Serbinë të përfshihet edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB, por njohësit e zhvillimeve të politikave ndërkombëtare thonë se një gjë e tillë është e pamundur në aspektin procedural si dhe problematike mund të jetë një veto e Rusisë.

Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, Fatmir Limaj, ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë është e rëndësishme që Kosova të sigurojë edhe njohjen e pesë vendeve të BE-së, si dhe sigurimin e ulëses në OKB.


“Nëse futemi në dialogun për njohje, një marrëveshje e tillë do t’i hapte Kosovës perspektivën në anëtarësimin në OKB, dhe njohjen nga pesë vendet evropiane”, thotë Fatmir Limaj.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Afrim Hoti, thotë se marrëveshja përfundimtare nuk mund të garantojë anëtarësim në OKB, por mund të largonte barrierat mes dyja vendeve për këtë anëtarësim.

“Në kuptimin formal është e pamundur të garantohet anëtarësimi përmes dialogut Prishtinë-Beograd, sepse anëtarësimi në OKB mbështetet në dy parime të përcaktuara nga karta e OKB-së. Megjithatë as Beogradi apo dikush tjetër nuk do të ishte garanci për anëtarësimin në OKB. Megjithatë në kuptimin politik, përfundimi i suksesshëm i bisedimeve do të hiqte barrierat që Kosova të bëhej pjesë e OKB-së”, deklaroi Hoti, për RTV Dukagjinin.

Por, njohësi i politikave ndërkombëtare, Visar Xhambazi, thotë se marrëveshja finale Kosovë – Serbi, nuk do të ndryshojë qëndrimin e Rusisë karshi Kosovës.

“Vlen të theksohet se Rusia nuk do ta votonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, nëse nuk ka interes të saj nacional. Normalisht interesi i saj është të përdoret Kosova në raport me Osetinë, Abkhazinë apo Krimenë. Nëse Rusia nuk merr ndonjë garancion për këto tri regjione, edhe nëse pranon Serbia Kosovën, vështirë të pranojë ajo anëtarësimin e Kosovës në OKB”, tha Xhambazi, përcjell Telegrafi.

Në mesin e pikave që janë përfshirë në platformën e dialogut, është arritja e njohjes nga Serbia por edhe anëtarësimi në OKB i vendit tonë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/