LAJMI I FUNDIT:

Analistët komentojnë 30 ditët e qeverisjes së Albin Kurtit

Analistët komentojnë 30 ditët e qeverisjes së Albin Kurtit

Janë bërë 30 ditë prej se Albin Kurti ka marrë detyrën e kryeministrit të Kosovës.

Në “Debat Plus” panelistët kanë komentuar këtë periudhë kohore që ka qeverisur Kurti.


Astrit Gashi thotë se vërejtja e tij kryesore ndaj kësaj qeverie është mungesa e planit qeverisës.

“Mungesa e planit për mua është e pakuptimtë. Kurti nuk është i ri në qeverisje pasi ka qenë në qeverisje para një viti. Ai e ka ditur se do të jetë një ditë në pushtet dhe ka pasur kohë të mjaftueshme për të bërë planin”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Gashi thotë se gjithashtu ka pritur nga qeveria e re një strategji më të mirë për komunikim me publikun, por që sipas tij kjo nuk ka ndodhur.

Vehbi Kajtazi nga ana tjetër thotë se duhet vlerësuar te kjo qeveri emërimi i kreut të AKI-së.

“Asnjë gazetarë nuk ka mundur të gjejë diçka të dyshimtë te ky person. Emërimi i tij më ka lënë një shije të mirë. Edhe emërimi i anëtarëve të Bordit të Telekomit nuk ka dhënë ndonjë element që po emërohen militantë partiak siç kishte ndodhur me Qeverinë Kurti1”.

Kajtazi megjithatë ka pasur kritika në adresë të ministrit të Shëndetësisë pasi sipas tij ka dështuar me vaksinat.

Xhevdet Pozhari thotë se ministri Vitia do të duhet të japë dorëheqje nëse vërtetohet se ka dëmtuar procesin e furnizimit të vaksinave. Por ai thotë se edhe ministri paraprak Zemaj, del se ka pasur mungesë të transparencës pasi u raportua se ka blerë autoambulanca me çmim më të lartë për 20% se sa që ishte në treg.

Pozhari si veprim pozitiv të Kurtit e ka parë iniciativën për mbrojtjen e Kompleksit memorial në Prekaz.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se Kurti dhe Vitia duhet te tregojnë se si kanë pasur në plan t’i vaksinojnë 60% të popullsisë.

“Ishte premtim elektoral i tyre se do të sigurohet vaksinimi i 60% të popullatës”, tha Ymeri.

Ai ka kritikuar vendimin e Kurtit për të qenë drejtues i Komitetit për Kompleksin memorial të Prekazit.

“Kjo nuk është punë e kryeministrit në këto momente. Ai është kryeministër i vendit, dhe ndoshta edhe në kushte normale nuk do të ishte në krye të këtij komiteti”, tha Ymeri./Telegrafi/