Analistët e “pavarur”
Tendenca e debateve të përditshme politike nëpër televizionet tona, tashmë ka kaluar në klishe kakofone ku riciklohen “analistë të pavarur” nga njëri medium te tjetri. Përveç ndjenjës që të krijojnë se në Kosovë paska mungesë të theksuar të njerëzve “të denjë” për të debatuar, mbi të gjitha është e stërlodhshme “Pro-isoja” ndaj pushtetit e cila prej disa vjetëve po ushqen letargjinë tonë mediale.
Kur Limoni Mu`tha ose Limoni i shtrydhur
I hidhur, i verdhë e lëvore-trashë ashtu sikurse limon na u paraqit në debat televiziv një alamet “analisti” i Kosovës.
La shije të keqe e kontaminoi dhe e keqpërdori hapësirën debatuese për një qëllim të vetëm: Të bëhet avokat i mbrojtjes së korrupsionit. U paraqit në cilësinë e “ANALISTIT TË PAVARUR”. Limoni i shtrydhur.
Ishte i verdhë, i tillë çfarë e do pushteti. I papjekur e i njomë. I rritur nën serrën e politikës. Avokat mbrojtës i së keqes.
Ndonëse i shtrydhur nga brenda, Limoni na u paraqit kokëtrashë ashtu si lëvozhga e tij. Spërkati aq sa deshi e debatin e shndërroi në LIMONADË për Qeverinë.
Na e tregoi një argument të fuqishëm: “Njerëzit kanë me vjedhë gjithmonë. Nuk është vetëm kjo Qeveri, por edhe të tjerat kanë vjedhë e do të vjedhin”, tha duke dashur të gjeneralizojë, arsyetojë e minimizojë aferat korruptive.
Shumë dyshime, mjegull e tym hodhi mbi hetimet për korrupsionin publik. Akuzoi EULEX-in ani pse ky mision për herë të parë ka nisur një proces konkret hetimor për korrupsion ndaj një zyrtari të lartë të Qeverisë. Nuk la të zezë pa thënë ende pa pritur rezultatin e hetimeve.
E harroi mandatin e EULEX-it , duke e akuzuar këtë mision pse po e lufton korrupsionin pa lejen e institucioneve të Kosovës.
Tha se është për t`i luftuar hajnat, keqpërdoruesit e taksapaguesve por më së paku mbrojti qëndrim të tillë. E vuri në dyshim praninë e korrupsionit. I tillë është Limoni.
Tha NËSE ka fakte për korrupsion, keqbërësit duhen dënuar. Por tha jo nga EULEX-i. Puna duhet kryer nga të tanët. Harroi dezertimin e gjykatësve dhe prokurorëve kosovarë për rastet e ndjeshme në Kosovë. Harroi kërcënimet e shantazhet ndaj tyre dhe tërë sistemin e brishtë të drejtësisë në Kosovë. Nuk i pati parasysh raportet e organizatave ndërkombëtare për praninë e lartë të korrupsionit në vend - “Analisti i pavarur”.
Kishte hallin se do bjerë Qeveria dhe se është duke u bërë puç ndaj saj. Nuk hezitoi të hidhte dyshime se i gjithë ky proces mund të jetë politik.
U bë patriot duke thënë se EULEX-i s`është zot shtëpie të na mësojë si t’i bëjmë detyrat e shtëpisë. Jemi shtet, tha ani pse Kosova zhvatet me miliona në emër të patriotizmit.
Kishte hallin se personi i përfolur për dyshime në korrupsion është në strukturat e larta të partisë. Tha mos ta harrojmë faktin se ka qenë njëri ndër më të votuarit në Kosovë. Limoni- “analist i pavarur”.
Të tillë ka shumë në Kosovë. Shpërfaqen çdo ditë por dikur thahen sikurse Limoni i shtrydhur.
(Arsim Halili, gazetar në RTK. Qëndrimet janë personale)



































