An American Dream
Duket shumë e lehtë dhe lukzose në filma, por në realitet është më vështirë se të jetosh në Prishtinë.
Të studiosh aty është aq e sigurt që e ardhmja jote do të shkëlqejë, por e tashmja është aq e pasigurt dhe e frikshme. Por një ditë lexova “Luftë dhe Paqe” nga Leo Tolstoy dhe e kuptova që jo gjithçka është çdo herë ashtu si duket dhe si ne mendojmë... jo ashtu siç e mendoja unë ëndrrën time amerikane!
Një fëmijë në Amerikë rritet mbi rrezet e teknologjisë,pluhurin e makinave të reja, zgjohet nga gjumi me këngën e tij të preferuar ndërkaq mirëmëngjesi i thotë vetëm kukulla që e mban pranë shtratit. Dikur rritet, por shumë herët.. rritet atëherë kur.. unë në atë kohë ende besoja në engjëj mbrojtës, ende lexoja romane fantastiko-shkencore dhe ndoshta më mirë do të ishte të isha ende fëmijë...
Trotuaret e New Yorkut janë çdo herë të mbuluara me njerëz...të zi, të bardhë, të zakonshëm, të çuditshëm, të bukur, të shëmtuar, me njerëz që ti jeton së bashku një ëndërr e cila në fakt nuk fillon kurrë por një ditë mbaron.
Një i rritur në Amerikë punon me mbeturinat e atyre që kanë punuar më parë, punon me vullnetin e dëshirës dhe shpresës, punon vetëm për veten e tij. Padyshim dhurata më e bukur që të jep shteti janë taksat.
Sa shumë i urrejnë të gjithë, i urrej edhe unë dhe nganjëherë diskutoj me vetëdijen time duke besuar se sa shumë punojmë për veten, por ne paguhemi që të paguajmë dikë tjetër, një jetë tjetër, një darkë të dikujt që mezi pres ta shijojë, ose edhe dikujt, që për të, pagesat tona janë atome të padukshme.
Çdo njeri mundohet të jetojë me një optimizëm të detyruar të cilin ne nuk e vërejmë që e kemi konvertuar në një pesimizëm si virus pa shërim.
Mundohemi ta tregojmë veten shembull dhe model para të tjerëve, por brenda vetes ne ndihemi keq, të brishtë, ndihemi të vetmuar, të lodhur nga jeta,nga njerëzit...por ne vazhdojmë të ëndërrojmë.



































