Viktimë e shantazhit seksual online, rrëfimi i 48-vjeçarit: Më kërkuan para për të mos publikuar video intime
Një 48-vjeçar nga Thumana është bërë viktimë e një skeme të mirëorganizuar shantazhi seksual online, pasi shkëmbeu materiale intime me një person që iu prezantua si një grua 38-vjeçare nga Elbasani.
Historia nisi me një bisedë të thjeshtë në rrjetin social por përfundoi me kërcënime dhe zhvatje të vazhdueshme financiare.
Sipas dëshmisë së tij për emisionin investigativ “Fiks Fare”, komunikimi fillimisht ishte miqësor, por më pas personi në fjalë nisi të dërgonte video intime dhe e nxiti edhe atë të bënte të njëjtën gjë.
“Unë i tregova që jam i martuar dhe kam tre fëmijë, por ajo nuk ndalej. Më shkruante orë pa orë, derisa një ditë, për të më lënë rehat, i dërgova një video intime timen,” rrëfeu ai.
Pas kësaj, nisën mesazhet kërcënuese. Personi në anën tjetër i kërkoi para për të mos publikuar videon në rrjetet sociale dhe për të mos e shpërndarë te të afërmit e tij.
“Deri tani i kam dhënë 400 euro. Më ka kërkuar edhe 200 euro të tjera në muaj, me arsyetimin se i duheshin për motrën e sëmurë,” tha viktima.
Paratë janë dërguar përmes shërbimeve të transfertave monetare jashtë vendit.
Numri që përdor për ta kontaktuar ka prefiksin ndërkombëtar +22, që i përket Bregut të Fildishtë, në Afrikën Perëndimore. Viktima shprehet se ka fshirë bisedat në Messenger për shkak se telefoni përdoret edhe nga gruaja dhe fëmijët e tij. Megjithatë, kërcënimet vazhdojnë çdo ditë përmes WhatsApp-it.
“E di që kam gabuar rëndë. Kam qenë shembull në familje dhe në fshat. Por tani nuk fle dot, nuk ha dot. Hyj në banjë dhe qaj me zë, nuk di kujt t’i tregoj. Kam shumë frikë, por nuk kam më para,” rrëfeu mes lotësh 48-vjeçari.
Pas këshillës dhe ndihmës nga gazetarët e “Fiks Fare”, ai ka bërë kallëzim pranë Seksionit për Krimin Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar autorët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të materialeve komprometuese.
Policia u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm me komunikimet online dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë të shantazhit seksual në rrjet.


