Shoqëria kosovare përballë globalizimit
Në shumë debate, tryeza dhe diskurse të ndryshme, mund të gjejmë një përfundim, se shoqëria kosovare ka bërë ndryshime të mëdha, sidomos pas luftës, dhe kjo për shkak të ndarjes epokale të para dhe pas luftës. Por a mjafton të thuhet vetëm kaq ?!... Çfarë u parapriu këtyre ndryshimeve drastike, një përgjigje e vetme është globalizimi.
Vetë paradigma globalizim nuk ka një përkufizim të saktë. Fenomeni i globalizimit mund të definohet si tendencë, forcë, proces i bashkëpunimit në mes të të gjitha vendeve të botës në të gjitha aspektet, si socio-ekonomike, politiko-kulturore.
Globalizimi, ka përfshirë edhe shoqërinë kosovare, sidomos në dhjetë vitet e fundit. Si “pasojë” e globalizimit shoqëria kosovare ka hyrë në proces të kalimit nga tradicionalja drejt “modernitetit”. Ky ndryshim mund të vërehet në të gjitha poret e jetës, (pa hyrë ne detaje), duke filluar që nga familja, procesi i kalimit nga familja monogamike, tek ajo poligamike ose ndryshimi i mënyrës së martesave, nga ato me tradicionale, tek bashkëjetesa, apo tek martesat në mes të gjinive të njëjta.
Ndryshimi i shoqërisë tonë, po ndodhë për shkak të reflektimit direkt të globalizimit, disa nga karakteristikat e të cilit janë zhvillimi tekniko-teknologjik, interneti, televizionet satelitore, ose produktet e llojeve të ndryshme nga e gjithë bota që mund të gjenden në Kosovë. Siç dihet interneti është karakteristikë e globalizimit, sepse çdo individ mund të ketë qasje në gjithë globin në kontekst të komunikimit intrapersonal, ose marrjes së informacioneve të ndryshme nga e gjithë bota, apo shembull tjetër janë telefonat mobil që mundësojnë, qasje në gjithë botën. Me vetë faktin që kemi mundësi të kemi komunikim intrapersonal, apo të marrim informacione nga e gjithë bota, lindë tendenca e krijimit të një stili të ri të jetës, të të qenit me “modern”, sidomos në aspektin kulturor.
Konkretisht kemi të bëjmë me socializimin e individëve, si reflektim globalizimit. Pra zhvillimi tekniko-teknologjik, ndikon në dinamizimin e jetës, në kontekst të marrëdhënieve shoqërore, këto ndryshime vërehen në shumë dimensione shoqërore, por me të theksuara janë p.sh. shkurorëzimet, ndryshimet e raporteve shoqërore, sidomos farefisnore, pra ky individualizim ka si pasojë edhe shtimin e vetëvrasje, ndërsa raportet ne mes njerëzve krijohen në bazë të interesit reciprok, e gjithë kjo është si rezultat i dinamizimit të jetës, i tendencës për të qenë me “modern”, të cilat krijojnë këto ndryshimeve fragjile që po ndodhin brenda shoqërisë kosovare.
Problemi tek shoqëria kosovare qëndron të fakti së vetë koncepti i modernitetit po keqkuptohet, prandaj duhet pas të qartë se çdo vlerë kulturore që vjen nga perëndimi nuk është modernitet p.sh individualizimi i tepërt, shkurorëzimet, vetëvrasjet, ose ekspozimi i tepert i trupit nga vajzat. Këto tipare janë karakteristikë e shoqërive perëndimore. Dhe ndërlidhja me globalizimin këtu qëndron të fakti se globalizimi, po sjellë vlera të “reja” kulturore, që janë shumë të depërtueshme por edhe “imponuese”.
Ne si shoqëri postkonfliktuale, me shumë elemente tradicionale nuk jemi të gatshëm të ecim ne trend me globalizmin, si vendet e tjera perëndimore sidomos në akceptimin e globalizimit sepse në raste të caktuara hasim në kontradiktë në mes të vlerave kulturore, dhe tek disa individë krijohet një ambiguitet se çka të akceptohet. Kur them se nuk jemi të gatshëm si shoqëri të përcjellim trendët e globalizimit, mbështetem tek disa shembuj konkretë, si abuzimi me teknologjinë informative në kontekst të publikimeve të jetës intime të individëve. Pra kjo bën që ne si shoqëri në vend së të merremi me perfeksionimin dhe shfrytëzimin racional të teknologjisë informative, duhet të merremi me pasojat që krijohen nga teknologjia informative në disa aspekte.
Por në anën tjetër duhet pas parasysh së globalizmi është shumë i depërtueshëm dhe “imponues”.
Për fund mund të themi se pavarësisht debateve dhe diskurseve të ndryshme në kontekst të kundërshtimeve të globalizimit, nga të ashtuquajturat grupet “antiglobaliste”, një gjë është e qartë, globalizimi është një proces që nuk mund ta ndalë askush. Kur e them këtë me bie ndërmend një ligjëratë i ish presidentit amerikanë Bill Clinton, i cili për fenomenin e globalizimit ka thënë: “Globalizimi është si era, uji, ajri dhe nuk mund ta ndal askush”. Ndërsa neve si shoqëri na mbetet që të presim, se ku do të na shpien valët e globalizimit!...


