Rusia nuk pranon Miss Kosovën, tërhiqet edhe Shqipëria
Shkak për këtë është bërë një vendim i autoriteteve ruse për të mos lejuar përfaqësuesen e Kosovës të konkurrojë në finalen e më të bukurave të Universit, pasi Rusia ende nuk e ka njohur Kosovën.
Fotografi i njohur shqiptar, Fadil Berisha, i cili është edhe fotograf zyrtar i këtij evenimenti, pas kësaj ka deklaruar tërheqjen e menjëhershme edhe të Miss Universe Albania, Fioralba Dizdari, njofton Panorama.
Emrat e dy vajzave shqiptare nuk gjenden as në ueb faqen zyrtare të Miss Universe.
Duhet thënë se përfaqësuesja e Kosovës, Mirjeta Shala është një ndër më të preferuarat në disa prej forumeve online.
Një vit më parë, edicioni i 61-të i Miss Universe u mbajt më 19 dhjetor, në Planet Hollywood Resort and Casino në Las Vegas dhe Shqipërinë e ka përfaqësuar Adrola Dushi, ndërsa Kosovën Diana Avdiu, e cila arriti të shkonte deri në 16 më të mirat. /Telegrafi/


