Please enter at least 3 characters.

Rënia e murit që ndau Lindjen e Perëndimin

Dy dekada më parë, në Berlin, ra njëri nga simbolet e turpshme të luftës se ftohtë dhe simboli i një divizioni të rrezikshëm të botës, që kundërshtonte sferat e interesit në dy blloqe të mëdha.

Deri më 1989, muri i Berlinit dhe prania e mbi një milion ushtarëve rus, ndanin Lindjen nga Perëndimi, robërinë nga liria, ideologjinë nga pragmatizmi.

Sot pas njëzet vitesh mund të ndalemi e të shikojmë me racionalizëm fundin e një epoke të zezë historike që la të vdekur miliona njerëz, burgosi e torturoi nëpër kampe përqendrimi miliona të tjerë, shkatërroi ekonomi të tëra dhe la në mjerim gjeneratat.

Optimizmi i fundosjes së sistemit komunist nuk erdhi ashtu siç menduan shumë se do të vinte. Shumë politikanë, që kanë meritë në përmbysjen e sistemit të kuq, besonin se me përfundimin e luftës së ftohtë do të merrnin fund edhe ambiciet e mëtutjeshme të njerëzve si dhe do të harronin anomalitë e garave në armatim, konflikteve të rrezikshme rajonale, sterilizimin ideologjik, duke hyrë në shekullin e sigurimit kolektiv, duke i përdorur resurset në mënyrë racionale, duke e luftuar varfërinë globale dhe duke u harmonizuar më tepër me natyrën.

Paratë e shumta që ishin përdorë për mobilizim dhe mbrojtje raketore do të duhej të orientoheshin në drejtime të ndryshme.

Për shumë shtete përmbysja e sistemit të përgjakur nuk ishte një mësim që duhej të kuptohej drejt dhe të merreshin mësime nga ai. Ishte çmimi i lartë ideologjik ai që duhej ta paguanin, sidomos ballkanasit kur krimineli serb Millosheviq, filloi spastrimin etnik dhe vrasjen e popujve joserbë.

Në të njëjtën kohë rënia e perdes së hekurt dhe ideologjisë së përgjakshme ruse krijoi papritur mundësi të reja për integrime, lidhje në mes kombeve, të cilat kishin sisteme politike, kulturë e civilizim të ndryshëm. Por, në anën tjetër, edhe pse ra sistemi komunist, për miliona njerëz situata nuk ndryshoi për të mirë, ajo sa erdhi e u keqësua.
Një sërë konfliktesh, luftërash lokale e rajonale shpërthyen në hartën e re politike, duke shkaktuar viktima të shumta e shkatërruar ekonomi.

Një pjesë e burrështetasve filluan të sillen papërgjegjshëm dhe sjelljet e tyre ishin tepër irracionale me realitetin e ri, që u krijua pas rënies së murit të Berlinit. Ishte kjo si të thuash një gjeneratë e re e politikanëve, që nga demonizimi dhe lakmia për pushtet shkaktuan luftëra e gjakderdhje të reja.

Modeli i udhëheqjes së tyre ishte burokratik, i korruptuar, duke e centralizuar ekonominë dhe kontrolluar rreptësishtë mediet. Ata i abroguan principet e sistemit gjyqësor e social dhe standardet e jetës së njerëzve.

Kriza ideologjike e tyre shpejt u kthye në krizë të idealeve dhe vlerave morale me ç’rast filluan gjakderdhjet e reja, sidomos në rajonin e Ballkanit, ku Serbia si trashëguese e krijesës së falimentuar Jugosllavi shkaktoi luftëra të përgjakshme, duke vrarë e masakruar qindra mijëra kroatë, boshnjakë e shqiptarë si dhe duke shkatërruar çdo gjë që kishte përpara.

Njeri prej arkitektëve të rënies së murit të Berlinit, Mihail Gorbaqov, deklaroi se rënia e murit të Berlinit nuk ishte shkak i ndryshimeve globale, megjithatë ishte një lëvizje popullore për reforma paqësore, që filloi në Lindje dhe veçanërisht në Bashkimin Sovjetik.

Gati askush nuk mund të besonte se muri i Berlinit do të rrënohej pa gjakderdhje, por as bashkimin e dy Gjermanive kurrkush nuk mund ta parashihte pa një revolucion të përgjakshëm. Gjithandej nëpër Gjermani, gjatë historisë, revolucionet kanë derdhur shumë gjak.

Mirëpo kësaj radhe ishin strukturat sekrete të Rusisë që dëshironin “ta shmangnin” një gjë të tillë. Ato që me kohë kishin paralajmëruar liderët e Lindjes se nuk ishin të ”interesuara” të intervenonin në proceset demokratike që veç kishin filluar të lëshonin rrënjë. Ata e dinin mirë se këto ishin procese të pandalshme.

Papa Gjon Pali II, kishte parë një gjë të tille me sytë e tij gjatë një vizite që i kishte bërë Polonisë para vitit 1979. Atje ai pa dëshirën dhe vullnetin e pakontestueshëm të miliona njerëzve për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga regjimi totalitar komunist.

Pastaj edhe instalimi i sistemit kundër raketor, më 1984, nga Amerika në Evropë, si kundërpërgjigje ndaj atij rus SS20 ishte një inspirim i fuqishëm në proceset e paqes tek popujt e shtypur. Liderët rusë, sidomos Gorbaqovi dhe disa liderë të tjerë evropianë si Margaret Theqer, Helmut Kohl, etj., e dinin se një stuhi e fuqishme që do t’i lëvizte pllakat tektonike të politikës, do të shpërthente dhe kjo ishte vetëm çështje kohe.

Kjo stuhi shpërtheu kur Hungaria e hapi kufirin hermetik me Austrinë, kur miliona njerëz nga Gjermania Lindore kaluan në atë Perëndimore. Kjo ishte thyerja e hallkës së parë të zinxhirit që revolucioni paqësor përmbysi regjimin komunist po edhe perandorinë sovjetike përgjithmonë.

Përmbysja e komunizmit e përfundoi një epokë të zymtë historike, sepse edhe sot e kësaj dite krimet dhe masakrat e këtij regjimi nuk u dënuan kurrë, nomenklatura e vjetër komuniste dhe aparatçikët e dikurshëm veç sa e ndërruan qimen. Ata si oligarkë kapitalistë u rehabilituan dhe iu mveshën sistemit të ri, duke uzurpuar poste të rëndësishme në jetën shoqërore e që tash kanë arritur të kontrollojnë një pjesë të mirë të politikës, ekonomisë, medieve, etj.

Përderisa kujtojmë rënien e murit të Berlinit, bashkimin e dy Gjermanive dhe gëzimin e papërshkrueshëm të miliona gjermanëve, për një moment gëzimi dhe dëshirat tona ngrysen kur kujtojmë muret tona të shumta që na e ndajnë padrejtësisht atdheun në copa.

Me zor e mbajmë durimin për nënçmimin që po i bëhet popullit shqiptar, duke e kufizuar perspektivën dhe ardhmërinë e tij me mure të tipit Berlinit, me mure brenda shqiptare e me mure të jashtme, duke i futur shqiptarët në geto padrejtësisht.

Edhe pse Ushtria Çlirimtare e Kosovës në krye të luftës së lavdishme për liri theu njërin nga muret që kishte vënë ideologjia komuniste mes shqiptarëve, UNMIK-u ndërtoi mure të reja, që i ngjasojnë murit të Berlinit.

Edhe në këtë shekull, Evropa po e derton murin e Berlinit shqiptar, duke i izoluar shqiptarët nga integrimet evropiane, duke legjitimuar mure të reja në Mitrovicë, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në Mal të Zi, Maqedoni e nëpër çdo zonë eksterritoriale në brendi të Kosovës.

Gjermanët tani festojnë njëzet vjetorin e bashkimit. Po, athua edhe sa vite muret e kufijtë do t’i ndajnë shqiptarët? Ndonëse populli më i lashtë në Evropë, ndonëse është bazament i civilizimit evropian, vazhdon të mbetet populli i vetëm i ndarë padrejtësisht në Evropën e Bashkuar, një popull i rrethuar me mure të brendshme e të jashtme, një popull i ndarë e i copëtuar, një popull i viktimizuar, një popull i futur në GETO. Sa turp! Shqiptarët duhet të reagojnë! Askush s’mund të vazhdojë të na e mohojë BASHKIMIN!