Please enter at least 3 characters.

Rama ngre Obelisk

Këto ditë është kthyer përsëri në qendër të vëmendjes plani i sheshit të Tiranës. Veç të tjerash u vu re se janë bërë përsëri ndryshime në këtë plan, i cili na paraqitet si i përkryer sa herë që prezantohet përpara nesh, dhe si zgjidhje e 1001 problemeve që ka qyteti i Tiranës. Që në krye të herës, ky plan më ngjalli dyshime të forta jo vetëm për mënyrën se si u organizua konkursi, me mënyrën se si u vendos si plan fitues apo me mënyrën se si na u reklamua si zgjidhja më mire e mundshme.

Si do që të ishte, në të vërtetë zbatimi i këtij plani do të duhej të ishte proçesi i fundit që duhej të kryhej nga Bashkia e Tiranës sepse, qyteti ka një numër të madh problemesh të pazgjidhura dhe që e ngulfojnë dinamikën e jetës të secilit banor dhe të vetë qytetit. Këta banorë sigurisht jetojnë nëpër lagje të ndryshme dhe jo në qendër.

Si mund të ishte problem më i rëndësishëm rregullimi i sheshit sesa dhënia zgjidhje çështjes së transportit publik në kryeqytet. Si mund të ishte më i rëndësishme çështja e sheshit sesa zgjidhja e problemit të parkimit në qendër e veçanërisht në lagjet e banimit. Si mund të ishte më e rëndësishme çështja e planit të sheshit sesa hartimi dhe zbatimi i një masterplani për të gjithë qytetin, ku duhej të nxitej dhe realizohej zhvillimi i qytetit në perspektivë afatgjatë dhe në mënyrë policentrike.

Si mund të ishte më parësore realizimi i projektit të sheshit sesa krijimi i zonave të gjelbra kudo nëpër qytet, e veçanërisht midis lagjeve të banimit, ose së paku të ndërpritej shndërrimi i atyre pak hapësirave publike që kanë mbetur në sheshe ndërtimi. Si mund të jetë më emergjente dekorimi i sheshit sesa ngritja e ambienteve sportive për te rinjtë e qytetit.

Ku do të lozin fëmijët që po rriten në Tiranë? Ku do të kalojnë kohën prindërit apo gjyshërit tanë të moshuar? Si do ta kalojnë kohën të rinjtë e qytetit? Mos vallë duke dalë të gjithë tek sheshi, në qendër edhe pse Tirana po arrin një milion banorë?
Apo duke u mbyllur në shtëpi përpara asaj kutisë së famshme të cilën kryetari e përmend shpesh; e kam fjalën për kutinë e televizorit jo te votave...

Përgjigjen këtyre pyetjeve është e lehtë të ua japë ç'do fëmijë, ç'do i ri, ç'do i moshuar, qytetar i Tiranës apo jo. Këto janë problemet e vërteta të Tiranës, kjo është emergjenca e Tiranës. Nëse arteriet nuk funksionojnë, s'ka çfarë i duhet një zemër e re. Por meqë po tentohet që vëmendja të shpërqendrohet nga problemet e vërteta, aktuale dhe jetike për qytetin, atëherë le të flasim edhe për sheshin; madje le t’i hedhim idetë në shesh. Le të supozojmë që problemet e lartpërmendura nuk ekzistojnë dhe të merremi vetëm me projektin e sheshit. Këtu diskutimi natyrisht duhet ngritur në dy drejtime, anën funksionale dhe anën arkitektonike qe do ketë sheshi.

Ky shesh së bashku me objektet e ndërtuara përreth tij, që me krijimin e tij e gjer me sot, kanë shërbyer si pikë orientimi, si pikë lidhëse dhe si pikë rishpërndarje për të gjitha rrugët e Tiranës e mbi të gjitha si pjesë integrale dhe vazhdimësi e bulevardit që fillon nga Universiteti Politeknik e deri tek Stacioni i Trenit. Me zbatimin e këtij plani të ri (Plani Belg), përveç funksionit te transportit që përmendëm më lart, dëmtohet edhe funksioni arkitektonik e estetik që shprehet me bashkëqendersinë e të gjitha rrugëve të orientuar nga sheshi dhe drejt dy objekteve me vlera historike si Xhamisë së Et’hem Beut dhe Kullës së Sahatit. Përveç kësaj, vazhdimësia e Bulevardit me të njëjtën histori dhe me të njëjtin stil arkitekturor, mundësohet në mënyrën më organike të mundshme vetë “Sheshi Skenderbej” i cili nga ana tjetër me objektet që e rrethojnë dhe me monumentin e heroit tonë kombëtar, manifeston jo vetëm historinë e Tiranës por të të gjithë Shqipërisë, të shtrirë në kohë dhe në hapësirë.

Por çfarë po e shtyn Kryetarin e Bashkisë që të bëjë një transformim rrënjësor të arkitekturës e njëkohësisht edhe të funksionit e historisë së këtij sheshi? Çfarë po e shtyn Z. Rama që të bëjë një ndërhyrje të tillë duke e izoluar sheshin nga të gjitha anët? A mos vallë gjithë kjo iniciativë qe do të transformojë edhe vetë lidhjet material-shpirtërore, që kanë banorët e Tiranës dhe shqiptarët në tërësi me këtë shesh si monument kulture e pse jo edhe pjesë e krenarisë dhe koshiencës kombëtare, lidhet thjeshtë me ndonjë shije artistike qe i ven në mendje kryetarit? Apo kjo lidhet me ndonje filozofi politike të proklamuar nga Rama, përtej së Majtës dhe së Djathtës?

Kjo ndryshe mund të përkthehet si një izolim midis të dyjave, ku shtrirja horizontale zëvendësohet me atë vertikale. Natyrshmëria e këtyre përgjigjeve vjen edhe nga vetë arkitektura që do të përdoret në këtë rikonstruksion, në këtë ribërje. Kjo shprehet qartë me formën piramidale të sheshit, ku pika qendrore është më e ngritur se baza, pra aty ku fillon gjithçka, tek njëshi. E sikur të mos mjaftonte kjo, një ndërhyrje tjetër arkitekturore që natyrshëm mund të lexohet si shprehje e kultit te individit, është ndërtimi i një kulle të lartë “Obelisk” e cila jo vetëm ndërpret horizontin e shikimit, pra anën vizuale, skaj më skaj bulevardit. Por, na detyron ta ngremë kokën lart, për të shikuar se “Epoka Rama” qëndron midis horizonteve, mbi historinë.

(Autori po vazhdon studimet master për Rregullim Territori, në Universitetin e Tiranës)