Please enter at least 3 characters.

Osmani u rekomandon deputetëve t’i drejtohen Kushtetueses, pas tërheqjes së kërkesës për seancën konstituive

Foto Ridvan Slivova/Telegrafi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një konference për media ka rekomanduar deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, pas tërheqjes së kërkesës së saj lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.

Osmani theksoi se deputetët kanë mandat të plotë për të kërkuar sqarime për çështjet që mbeten të pasqarta, posa të publikohen vendimet në rastet e iniciuara nga PDK dhe LDK.

Ajo u shpreh se kjo duhet bërë me shpresën se në rastin e ri nuk do të caktohet i njëjti gjyqtar raportues.

“Unë dua t’i inkurajojë deputetët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë mandat të plotë që t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese, që pasi të publikohen vendimet në dy rastet e iniciuara nga partitë PDK dhe LDK, për çështjet që mbesin të pasqaruara dhe pas atij aktgjykimi që t’i adresohen drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese, nën shpresën që nuk do të caktohet i njëjti gjyqtar raportues”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se për një çështje kaq sensitive, nuk do të inkurajonte askënd ta linte lëndën në Kushtetuese nëse gjyqtar raportues mbetet i njëjti.

“Unë nuk do ta inkurajoja asnjë institucion që ta linte lëndën në Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se gjyqtar raportues, për temë kaq sensitive është fjala, vendoset ky gjyqtar, së paku derisa të sqarohet përfundimisht nga institucionet tona të drejtësisë”, tha ajo.

Këto deklarime vijnë pas vendimit të saj për të tërhequr kërkesën e dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese, që kishte të bënte me ecurinë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Si arsye për tërheqjen, Osmani përmendi caktimin e gjyqtarit Radomir Laban si raportues për këtë rast.