Liria e mediave në Kosovë lëvizë sipas disponimit të respodentëve
Në librin Thinking, Fast and Slow, Daniel Kahneman përshkruan një fenomen absurd në pamje të parë: disa zona të vogla rurale në ShBA dalin njëkohësisht me nivelin më të lartë dhe më të ulët të kancerit të veshkave. Nuk ka asnjë mister - është thjesht efekt i mostrave të vogla që prodhojnë rezultate ekstreme.
Shembull: nëse anketohen katër persona në një rast, nëse vetëm njëri nga ta ka kancer të veshkave, do marrësh rezultatin se 25 përqind të banorëve kanë kancer.
Kjo është statistika kur përdoret keq: prodhon “të vërteta” që nuk kanë lidhje me realitetin.
Pikërisht kjo ndjesi krijohet edhe kur lexohet raporti i Reporters Without Borders për lirinë e mediave, e sidomos nëse përcillet nga viti në vit. Për mua raporti as vitin e kaluar as sivjet nuk sjellë gjendje reale.
Në vitin 2026, sipas këtij raporti, Kosova është përmirësuar në të gjitha indikatorët gjatë periudhës 2024/25 - 2025/26: Indeksi është përmirësuar nga 52 në 55, duke u ranguar më lartë nga vendi 99 në 84. Indekset në veçanti janë:
- Politik: 44.61 → 46.05
- Ekonomik: 39.88 → 41.07
- Legjislativ: 68.54 → 72.28
- Social: 57.28 → 63.99
- Siguri: 53.35 → 53.07
Në letër, duket si progres i përgjithshëm. Në terren, nuk shihet ndonjë ndryshim.
Politikisht, ndikimi mbi RTK-në është rritur. Ekonomikisht, mediat vazhdojnë të mbijetojnë në një treg të shtrembëruar ku paratë shkojnë te Meta Platforms dhe Google. Ligjërisht, nuk ka pasur asnjë reformë serioze. Asgjë nuk ka ndryshuar që të justifikojë një përmirësim të përgjithshëm, e siguria të mbetet njëjtë, kontradiktore!
Pra, nëse realiteti nuk ka ndryshuar, atëherë çfarë ka ndryshuar?
Për mua përgjigjja më e thjeshtë është: respodentët kanë vendosë “me qitë Kosovën ma mirë”.
Vitin e kaluar, i njëjti raport e renditi Kosovën më keq se Serbinë dhe Shqipërinë. Ky rezultat ishte aq i pabesueshëm saqë e dëmtoi kredibilitetin e vet raportit - dhe indirekt edhe të atyre që japin përgjigje në të.
Këtë vit duket se ka ndodhur një “korrigjim”. Respondentët kanë qenë më të kujdesshëm, më pak ekstremë në vlerësime - me pak fjalë, kanë pasur më shumë “rahmet”.
Nëse një indeks ndryshon jo sepse ndryshon realiteti, por sepse ndryshon disponimi i respondentëve, atëherë ai nuk është indeks i realitetit. Është indeks i disponimit.
Dhe, kjo na kthen te problemi kryesor: metodologjia.
Sa persona janë anketuar? Si janë zgjedhur? Sa përfaqësues janë ata? Këto pyetje bazike mbeten pa përgjigje. Organizata nuk jep të dhëna konkrete dhe shmang një debat serioz mbi metodën. Ata flasin vetëm me bashkëmendimtarët. Mua nuk më kanë kthyer përgjigje për pyetjet më lartë, por më kanë drejtuar te pjesë të ndryshme të faqes së tyre. Madje kanë shfrytëzuar kanalet e veta për të sulmuar kontestimin tim, ngjashëm me veprimet e autoritarëve kundër kritikëve përmes mediave publike.
Kjo nuk është transparencë. Kjo është kontroll i narrativës.
Pa transparencë metodologjike, çdo rezultat është i dyshimtë. Dhe, kur një rezultat i dyshimtë prezantohet si fakt global, atëherë kemi të bëjmë më shumë me një produkt komunikimi sesa me një instrument shkencor.
Në fund, problemi nuk është nëse Kosova është renditur më lart apo më poshtë. Problemi është se kjo renditje pretendohet si matje objektive.
Por, një matje që nuk mund të verifikohet, nuk është matje.
Është tregim.


