Please enter at least 3 characters.

Kosova dhe CEFTA

Marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA është treguar instrument efektiv në stimulimin dhe lehtësimin e këmbimit dhe bashkëpunimit tregtar të vendeve të Evropës Qendrore në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në BE. Synim kryesor i këtij projekti që në fillim ishte krijimi i një klime të favorshme për rritjen dhe forcimin e lidhjeve tregtare, ekonomike dhe investuese të vendeve të Evropës Qendrore dhe juglindore. Në rastin e vendeve të Evropës qendrore projekti CEFTA ka dëshmuar mundësi të mira për rritjen e bashkëpunimin në procesin e integrimeve evropiane. Në fazën e dytë të projektit CEFTA janë përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, Moldavia dhe Shqipëria. Disa nga këto vende në vitet e 90 –ta ishin të afektuara nga konfliktet dhe luftërat në mes veti, por të cilat më vonë treguan shenjat e aderimit ndaj proceseve integruese. Pervoja e deritanishme ka dëshmuar, se bizneset rajonale shumë shpejt janë akomoduar me tregtinë e lirë dhe pa barriera duke rritur këmbimin tregtar intrarajonal se sa disa qeveri të rajonit. Në këtë drejtim duhet theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërqeveritar dhe politik për të lehtësuar këtë bashkëpunim. Megjithatë, zhvillimet në kohë të fundit tregojnë prirje të disa qeverive të rajonit për të mosrespektuar marrëveshjen e CEFTA – së në raport me Kosovën. Në kohë të fundit janë treguar edhe vështirësi dhe mosmarrëveshje rreth respektimit të disa artikujve të kësaj marrëveshje edhe në këmbimin tregtar në mes të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Mjedisi politik, ekonomik dhe biznesor në rajon ka evoluar duke pasur parasysh pavarësinë e shpallur të Kosovës. Kosova edhe në të kaluarën si protektorat ndërkombëtar ka treguar afinitet ndaj liberalizimit tregtar dhe bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit. Tani në rrethana të pavarësisë Kosova ka pozitë të barabartë dhe kapacitete për hyrje në marrëdhënie me shtete tjera dhe me komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi në sensin e vendosjes së marrëdhënieve politike, ekonomike dhe tregtare në pajtim me obligimet ndërkombëtare dhe interesat e veta strategjike. Në rrethana të reja, në raportet tregtare Kosova tregon një prirje për begatimin e tyre, por edhe në përdorimin e instrumenteve bilaterale dhe masave tregtare kundërvepruese. Një kohë të gjatë në këmbimet tregtare bizneset kosovare ishin të ekspozuara në ndikimin e masave tregtare asimetrike. Kështu të gjitha importet që vinin nga Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe vendet tjera ishin të ngarkuara me tarifa doganore dhe fiskale prej 25 %, përderisa mallrat që importoheshin nga Serbia dhe Mali i Zi, ngarkoheshin me vetem TVSH për arsye të një interpretimi ndërkombëtare të Rezolutës 1244 sipas së cilit këmbimi tregtar në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte tregti e mbrendëshme. Kjo ka krijuar destorzion në tregun e vendit duke e rrënuar mjedisin konkurrues dhe interesin e prodhuesve të rinj të Kosovës.

Që në fillim të vitit 1999 Kosova edhe si protektorat ndërkombëtar dhe e qeverisur nga KB, është përfshirë në hapje tregtare ndaj fqinjëve. Edhe në rrethanat e dëmeve nga lufta, të mosekzistimit të strukturave prodhuese dhe eskportuese, nivelit të ulet të mbulimit të importit me eksporte (5-7 %) dhe deficitit tregtar tejet të thellë, Kosova ka zbatuar një regjim tregtar tejet liberal duke zhvendosur pengesat jotarifore dhe teknike, duke mos zbatuar në praktikë subvencionimin e prodhuesve të ri të vendit. Kjo sjellje tregtare e Kosovës ishte në pajtim edhe me rregullat e OBT. Të gjitha iniciativat dhe projektet ndërkombëtare siç është CEFTA, në fokus kishin eliminimin e barrierave administrative dhe teknike për lehtësimin e bashkëpunimit dhe këmbimit tregtar dhe gjenerimin e investimeve intrarajonale. Kosova, bizneset, konsumuesit dhe prodhuesit e saj në tregun e CEFTA –s shohin mundësi dhe potenciale afatgjata në gjenerimin e një rritje ekonomike inkluzive. Prodhuesit kosovar ka kohë që e pranojnë presionin e konkurrencës së jashtme si rregull e lojës duke dhënë sinjale të qarta për të kuptuarit të kritereve të Kopenhagenit.

CEFTA – Mundësi integruese dhe sfiduese

Të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor tregojnë aderim ndaj proceseve integruese. BE nëpërmjet programeve të sistences, dergon porosi të qarta se dinamika e integrimeve do të varet nga kursi i reformave ekonomike, shoqërore dhe politike. Në esencën e këtyre përpjekjeve theksi vihet në zhvillimin e demokracisë dhe të forcimit të institucioneve të ekonomisë së tregut. Në këto vende përkundër rezultateve të prekshme, dominojnë edhe vështirësitë në përshtatje dhe konsolidim të demokracisë. Ende nuk është flakur ndjenja e së kaluarës dhe forcimi i vlerave kooperuese. Tregu i CEFTA në fokus të vet ka stimulimin e tregtisë, investimeve dhe krijimin e një tregu të gjerë për të gjitha vendet e rajonit. Kosova si një shtet dhe demokracie re dhe treg i vogël në kuadër të tregut CEFTA identifikon mundësi për inkurajimin e investitorëve potencial dhe gjenerimin e një rritje ekonomike inkluzive që krijon vende të reja pune.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë filluar të paraqiten të qarat e funksionimit të tregut të CEFTA në këmbimin tregtar të Serbisë dhe Bosnjës në raport me Kosovën. Kjo ka të bëjë me ndalimin e eksporteve të Kosovës në këto vende dhe shfrytëzimin e mundësive transportuese tranzitore. Edhe ashtu, eksporti i Kosovës në këto vende është tejet i parëndësishëm. Mirëpo këto vende sidomos Serbia ka pjesëmarrje të konsideruar në importet e Kosovës. Në raport me Serbinë, Kosova ka bilanc tregtar skajshmërisht negativ. Një sjellje tregtare tillë e Serbisë, Bosnjës dhe vendeve tjera është në kundërshtim me frymën e marrëveshjes së CEFTA duke provokuar ç rregullime të panevojshme në funksionimin e këtij tregu. Prandaj destrukcioni tregtar nga Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi është i çuditshëm dhe në kundërshtim me trendet aktuale të këmbimit tregtar. Në realitet çdo çrregullim dhe anashkalim i zgjidhjeve të tregut të CEFTA së pari do te dëmtoje interesat e bizneseve të vendeve që gjenerojnë vështirësi në bashkëpunimin tregtar. Nëse një situatë e tillë tregtare vazhdon të sfidojë tregtinë rajonale, Kosova do të duhej të sigurojë masa reciproke kundërvepruese ndaj këtyre vendeve. Kjo do të ishte përgjigjja më efektive tregtare, për të mbrojtur interesat e qeverisë, prodhuesve, tregtarëve dhe konsumatorëve kosovar.

Tani, duhet theksuar rëndësinë e leshuarjes në qarkullim të autostradës së Shqipërisë e cila ofron mundësi të mira për orientimin e eksporteve dhe importeve në drejtim të Kosovës. Me këtë projekt të infrastrukturës behet i pakuptimtë bllokimi i këmbimit tregtar dhe ekonomik nga ose në Kosovë nga ndonjë partner tregtar i rajonit. Kjo do të shprehet pozitivisht edhe në përmirësimin e pozitës tregtare të Kosovës si element i rëndësishëm i inkurajimit të investitorëve potencial.

Problemet e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe Bosnjës në anën tjetër nuk janë të vetmet në kuadër të tregut të lirë të CEFTA, nga se probleme serioze janë paraqitur edhe në bashkëpunimin tregtar të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Në realitet që të dy vendet nga regjimi i tregtisë së lirë në mënyrë të njëanshme kanë zhvendosur disa produkte strategjike të tyre. Kështu vendimi i qeverisë së Kroacisë mbi ndalimin e importit të produkteve të mishit nga Bosnja, ka provokuar ndalimin e eksportit nga Kroacia në Bosnje të produkteve të ngjashme. Këto raste tregojnë se në rajon ende nuk funksionojnë marrëveshjet e nënshkruara nga partneret tregtar dhe se paraqiten te qara dhe forma të “luftës tregtare”.

Partnerët kryesorë tregtar të Kosovës

Nga aspekti i këmbimit tregtar Kosova në këtë faze të zhvillimit kryesisht ka relevancë importuese duke pasur parasysh nivelin e ulet të mbulimit të importit me eksport, nivelin simbolik të eksportit dhe pjesëmarrjen e lartë të importit dhe të deficitit tregtar në BPV. Vendet e BE paraqiten si partnere i respektuar në eksportin e Kosovës (rreth 50 %), dhe tregu CEFTA (30 %). Ndërsa në anën e importit vendet e BE dhe CEFTA kanë pjesëmarrje proporcionale ( rreth 30 %) në gjithsejtë import. Nga këto të dhëna rrjedhe edhe konkludimi se flukset e këmbimit tretar të Kosovës në mënyrë të konsideruar ndërlidhen me vendet fqinje të Kosovës. Kështu në vitin 2009 në eksportin e Kosovës pjesëmarrje më të lartë kishte tregu i Shqipërisë (10.7 %), Maqedonisë (99.9 %) dhe Serbisë (5.0 %). Ndërsa në anën e importit pjesëmarrje më të lartë ka treguar Maqedonia (18.1 %), Serbia (10.9 %), dhe Shqipëria (3.2 %). Kjo strukturë e pjesëmarrjes së flukseve tregtare tregon se Kosova vazhdon të mbaj lidhje të mira tregtare me vendet e BE dhe vendet e rajonit dhe në veçanti me vendet e përfshira në tregun CEFTA. Me gjithë specifikat ekonomike të Kosovës, prodhuesit kosovar në kuadër të këtij tregu shohin mundësi afatgjata për zhvillimin e tyre.

(Punim i prezantuar në konferencën rajonale të FES; "Evropa juglindore si hapësirë e përbashkët ekonomike dhe konsiderimi i dimensionit social", Sarajevë, qershor, 2009)