Ja pse s’duhet të ketë kamera vëzhguese në zgjedhje
Çështja nëse duhet, apo s’duhet të ketë kamera vëzhguese në zgjedhjet e sivjetme lokale, është njëra ndër çështjet, e cila është përfolur më së shumti gjatë këtyre dy muajve të fundit, si nëpër mediat elektronike dhe të shkruara, nëpër kancelaritë e partive politike, e po ashtu edhe nga qytetarët.
Natyrisht se partitë në pozitë e kanë pritur ftohtë këtë temë, ndërkaq që ato në opozitë kanë bërë shumë zhurmë në mënyrë që të ketë kamera vëzhguese në zgjedhje. Dhe kjo është normale në një shtet demokratik, ku po shumëpërfolet procesi zgjedhor demokratik.
Duke iu referuar kësaj teme, mendoj se nuk duhet të ketë kamera vëzhguese në zgjedhjet e sivjetme lokale për disa arsye.
E para. Kamera vëzhguese në asnjë palë zgjedhje demokratike nuk duhet të ketë për shkak se ato zbehin imazhin e demokracisë për të cilën po pretendon Kosova. Vendosja e kamerave do ta humbte besimin pikë së pari te votuesit, pastaj te institucionet dhe te bashkësia ndërkombëtare.
E dyta. Kamera vëzhguese nuk duhet të ketë sepse në çdo qendër votimi dhe në çdo vendvotim ka vëzhgues sa të duash dhe nëse një parti politike (cilado qoftë ajo) është e aftë t’i mashtrojë gjithë ata vëzhgues, aty nuk duhet të ketë diskutim më shumë. Vallë ne s’po pretendojmë të kemi ligje.
E treta. Kamera vëzhguese nuk duhet të ketë sepse ato funksionojnë me energji elektrike dhe natyrisht se përditë po kemi reduktime të rrymës. Ndodh që rryma të ndalet dhe kamerat nuk funksionojnë.
E katërta. Vallë, nuk pati kamera vëzhguese edhe në dhomën e hetimeve në polici, ku siç është përfolur u vodhën shumë dëshmi? A regjistruan diçka ato? Deri më sot, të paktën jo. Sigurisht s’ka pasur rrymë.
E pesta. Kamera vëzhguese në zgjedhje nuk duhet të ketë, sepse ato mund të thyhen, mund të jenë defekt, mund të mbulohen me pallto..., etj.
Përfundimisht, kamera vëzhguese në zgjedhje nuk duhet të ketë dhe as që bën të diskutohet për këtë gjë. Përpos këtyre arsyeve, ekziston edhe një arsye tjetër pse duhet lënë kjo temë.
Partitë politike kosovare sikur kanë harruar të mendojnë për qytetarët. Ato nuk janë duke kuptuar se me temën e “kamerave vëzhguese” kanë harruar qytetarët.
Liderët tanë politikë duhet të jenë më të sinqertë, sepse në momentin kur prekin temën e kamerave, ata në radhë të parë shikojnë interesin e partive të tyre, e jo të qytetarëve. Ata me këtë frikësohen nga vota e qytetarëve, andaj duan ta vëzhgojnë atë votë “të lirë”.
Politikanët tanë nuk duhet të kenë frikë nga vendosja e kamerave, e as nga mos vendosja e tyre. Ata duhet të kenë frikë nga pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje. Prandaj orientimi i tyre duhet të jetë në këtë çështje. Partitë politike duhet të bëjnë fushatë më të madhe dhe më konkrete në mënyrë që t’i bindin qytetarët për të dalë në zgjedhje.
(Autori është koordinator i OJQ-së "SHARRI")


