Hahn: Shqipëria në rrugën e duhur. Integrimi të jetë objektiv kombëtar
Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama se Shqipëria është në rrugën e duhur.
“Në vlerësimin tonë Shqipëria është në rrugën e duhur dhe aspirata europiane duhet të jetë një objektiv kombëtar që mbështetet nga të gjithë elementët, partitë politike, shoqëria civile e madje edhe media”, deklaroi Komisioneri.
Hahn përmendi edhe problematikat kryesore që shqetësojnë BE-në. Ai tha se ka patur arritje në luftën kundër kanabisit, e po ashtu përmendi edhe uljen e numrit të azilkërkuesve. Komisioneri përmendi Vettingun dhe pritshmëritë që BE ka tek ky proces.
“Është gjë e mirë që të themi se cili është realiteti, por edhe të arrijmë tek qytetarët të flasim për progresin që ka bërë Shqipëria. Unë përpiqem që ta bëj këtë, Kryeministri përpiqet që ta bëjë këtë dhe anëtarët e tjerë të qeverisë. Në veçanti kemi diçka për të treguar, një histori të re në lidhje me ecurinë me progresin, si shembull sa i përket luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës, apo për uljen në mënyrë të konsiderueshme të numrit të azilkërkuesve në BE dhe kjo është një arritje tjetër e madhe dhe është e rëndësishme që të ndryshohen disa deficite në reputacion, sepse ato ekzistojnë dhe është e vështirë të përballemi me to”, deklaroi Komisioneri.
Komisioneri deklaroi se vitin e ardhshëm do të organizohet një Samit për Ballkanit Perëndimor në Bullgari, 15 vite pas atij të Selanikut. “Kjo tregon angazhimin e Bashkimit Europian për të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama tha se e njohu Komisionerin Hahn me luftën e qeverisë kundër kultivimit dhe trafikut të kanabisit. “Biseduam për suksesin e qartë të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, i mishëruar në raportin analitetik të dalë pas monitorimit të qenësishëm të Guardia di Finanza dhe i konsideruar prej qeverisë shqipare si përmbyllja e fazës së parë”, tha Rama.
Ai thotë se njohu Hahn me objektivat për fazën e dytë. “Ndamë me komisionerin objektivat dhe ambicien tonë dhe hapat që kemi planifikuar të bëjmë për t’ja dalë me sukses përmes task forcës speciale dhe operacionit Forca e Ligjit”, u shpreh Rama.
Ai tha se të gjitha këto shërbejnë për të konsoliduar pozicionin e Shqipërisë karshi Brukselit, megjithëse deklaroi se, sipas tij, vendi ynë i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave dhe e meriton hapjen e tyre. /Telegrafi/


