Please enter at least 3 characters.

Gjykatës Kushtetuese – emrat Kosovë, Hashim dhe Fatmir janë diskriminues!

Të nderuar Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së...

Në vazhdën e vendimeve tuaja të fundit (shih aktgjykimi KO 01/09), unë në cilësinë e qytetarit të Republikës, në përputhje me Nenin 113, pika 7 paraqes këtë kërkesë për shqyrtim të kushtetutshmërisë së emrave Kosovë, Hashim dhe Fatmir. Konsideroj se shterimi i mjeteve juridike është i pamundshëm për shkak të natyrës specifike të rastit dhe ju lus juve, si instanca më e lartë e mbrojtjes së të drejtave të mia kushtetuese të merrni në shqyrtim këtë kërkesë:

1) Pika e parë e kërkesës konsiston në shqyrtimin e emrit Kosovë, i cili pretendoj se shkel të drejtat e mia të garantuara me nenin 3 të Kushtetutës së Republikës. Ky nen në mënyrë eksplicite parasheh barazinë e qytetarëve para ligjit dhe në pikën 1 thotë së shteti është i përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera. Rrjedhimisht, emri Kosovë në mënyrë të qartë favorizon komunitetet tjera përderisa shumica (shqiptarët) nuk përfaqësohet në këtë emër. Arsyetimi: etimologjia e emrit Kosovë sipas shpjegimeve të dhëna nga ekspertët e linguistikës vjen nga emri sllav “kos” që do të thotë “zog i zi” (ngjashëm me shprehjen shqipe “sorra”) dhe lidhjet me emrin “Kosovo polje”, emër ky i përdorur nga popujt sllav të Ballkanit për t’ju referuar “fushës së zogjve të zinj”.

Kjo e fundit, të nderuar Gjyqtarë supozohet se daton nga viti 1389 – beteja e humbur e forcave sllavo-ballkanike kundër ushtrisë otomane. Rrjedhimisht si e tillë ajo përfaqëson vetëm komunitetin serb në Kosovë e ndoshta edhe atë malazez, mirëpo në asnjë rast shqiptarët. Emri i përdorur nga shqiptarët gjatë kohëve ka qenë Dardani, ndërsa Vilajeti i Kosovës i krijuar gjatë kohës së sundimit Osman përfshinë territorin e shtetit tonë të sotëm dhe shumë territore të shteteve fqinje.

Vazhdimësia e përdorimit të emrit Kosovë mund të konsiderohet tendencioze dhe në kundërshtim me nenin 1, pika 3 të Kushtetutës i cili shprehimisht thotë se Republika ... nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. T’ju përkujtoj se nëse emri Kosovë arsyetohet me kohën e Vilajetit të Kosovës (periudha e sundimit Otoman), atëbotë pjesë e tij ka qenë Sanxhaku, gjysma e Maqedonisë, Kukësi dhe kryeqytet ka qenë Shkupi!

2) Përderisa emri Kosovë të nderuar gjykatës është diskriminues për popullsinë shqiptare, emrat Hashim dhe Fatmir janë diskriminues për pjesëtarët e komuniteteve tjera. Kryeministri dhe Presidenti i Republikës, respektivisht po përdorin këta emra përkundër faktit se të dytë janë betuar se do të zbatojnë Kushtetutën dhe Ligjin gjatë qeverisjes tyre. Unë pretendoj, e nderuara Gjykatë që ju, duke u bazuar në vendimet tuaja të mëparshme (shish aktgjykimi KO 01/09 – rasti i emblemës së Prizrenit) të urdhëroni Presidentin dhe Kryeministrin që menjëherë të marrin masa për ndryshimin e emrave personal. Ky vendim, e nderuara Gjykatë do t’u mundësonte komunitete pakicë të ndihen të barabartë para institucioneve të Republikës. Baza ligjore për këtë pikë gjendet po ashtu në nenin 3 të Kushtetutës i cili flet për barazinë e qytetarëve para ligjit.

3) Duke e ndjekur praktikën e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, unë propozoj që ju të urdhëroni ndryshimin e këtyre tre emrave, dhe për dallim nga Gjykatat simotra në botë, të propozoni një emër të ri më të përshtatshëm Shtetin, Presidentin dhe Kryeministrin (shih pikën 54 të vendimit KO 01/09 dhe mendimin konkurrues të Gjykatësit Almiro Rodrigues DRLSA 344/10 për rastin e njëjtë). Dhe në fund, për të mos e tepruar, propozoj që flamurit të Republikës ti shtohen fjalët ‘zastav’, ‘bayrak’, ‘flamur’ dhe ‘pavilion’ me qëllim që të gjithë ta kuptojmë se është flamur, ashtu siç propozuat që emblemës së Prizrenit ti shtohen fjalët ‘komunë’ në disa gjuhë! Kuptohet, tërë kjo për hir të mbrojtjes dhe kultivimit të identitetit të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën tonë – shpresojë me emër të ri.

Më lejoni që në fund të shprehë kënaqësinë e veçantë për mundësinë që të paktën përmes kësaj letre, t’ju shpreh indinjatën time dhe ndoshta edhe të ndonjë pjesëtari të komuniteteve pakicë për mospërputhshmërinë e disa emrave shumë aktual me Kushtetutën, rendin juridik të shtetit dhe parimet e përgjithshme të pranuara nga ‘kombet e qytetëruara’.

Në fund, të nderuar Gjyqtarë, pranoni konsideratat e mia më të larta.

(Autori është kandidat për magjistër të Shkencave Juridike në Universitetin Karl Franzens – Austri, dhe ky shkrim sarkastik vjen si rezultat i aktgjykimit të fundit të lëshuara nga Gjykata Kushtetuese lidhur me emblemën e Komunës së Prizrenit)