Please enter at least 3 characters.

“Faleminderit” z. Dick Marty

“Kriminelët nuk kanë racë, fe as komb – ata janë të njëjtë dhe si të tillë duhet të përfundojnë përpara drejtësisë”

Raporti i propozuar nga z.Marty, një raport i stërmbushur me trillime që e tmerron lexuesin, ku më shumë duket si një ‘’horror story’’ se sa një realitet i mundshëm për kohën, vendin dhe rrethanat për të cilat flitet në atë raport. Aty përveç trillimeve për Kosovën, vërehet edhe një ton i lartë i urrejtjes së autorit ndaj shtetit më të ri në kontinentin e vjetër dhe institucioneve të saja që burojnë nga populli i saj. Autori i këtij raporti nuk ngurron që shtetin e Kosovës ta quaj “shtet të dështuar”, “vend pa perspektivë ekonomike”, “jo funksional’’ dhe ‘’krijesë të NATO-s’’. Nga e ka fillin tërë kjo urrejtje e akomuluar në zemrën e autorit për Kosovën nuk e dimë, ndoshta e di vet ai?!

Ai përkujdeset mjaft mirë që këtë raport ta ndërtojë me bazë shumëdimensionale ashtu që edhe rezultatet e tij të jenë shumëdimensionale. Do të doja ta njoftoja z.Marty me disa fakte që më bëjnë ta konsideroj tendencioz dhe të dështuar, raportin e tij për atdheun tim. Raporti përshkruan fundin e ’90-ve si fillim i veprimit të grupit kriminal të ashtuquajtur ‘’Grupi Drenicës’’ në tregtinë e organeve njerëzore, kontrabandës së drogës dhe armëve. Në këtë grup janë të përfshirë pothuajse e gjithë elita politike dhe ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. ‘’Grupi Drenicës’’ në këtë raport zë vendin kryesor në piedestalin e krimit të organizuar për tërë Evropën Lindore.

Z. Marty po harron se Kosova ka qenë e okupuar, ka pasur luftë, ka pasur viktima, ne kemi mbi 1800 shqiptarë ende të zhdukur, për fatin e të cilëve ne ende nuk dimë asgjë, nëse u janë marrë pjesët e trupit të tyre para se të vriteshin, për tu shitur pastaj, ku më pas për fshehjen e gjurmëve mund të jetë kujdesur Danubi! Serbia edhe në vitet ’90-ta ka pasur spitale moderne të kohës, me salla të sterilizuara operimi, ku me lehtësi mund të jetë zhvilluar tregtia e organeve njerëzore. Logjika e shëndoshë na drejton te një pyetje e thjeshtë për z.Marty, ku mund të ishin kushtet më të favorshme për realizimin e transplantimeve të tilla, në spitalet e Serbisë apo në bjeshkët e Kukësit?! Duke bërë një krahasim të thjeshtë mes klinikave të specializuara serbe dhe “shtëpi-spitaleve” të supozuara nga z.Marty, shumë lehtë arrijmë në përgjigjen e duhur.

Pastaj duhet pasur parasysh edhe ardhjen e doktorëve të specializuar nga Rusia në Maqedoni, në kohën e luftës në Kosovë, për të cilët edhe sot e kësaj dite nuk dihet shkaku i ardhjes dhe qëndrimit të tyre aty. Mos vallë ata erdhën për të kontrolluar refugjatët që deportoheshin me dhunë nga vendlindja e tyre?! Vështirë të besohet një gjë e tillë, duke ditur urrejtjen e tyre ndaj popullit shqiptarë.

Nga mitet dhe legjendat nuk krijohen faktet, ato duhet të jenë vizuele, të prekshme dhe të dëshmuara me fakte të vërteta, jo me fjalë goje nga njerëz të dyshimtë dhe të paguar për të krijuar viktima të rrejshme. Këto montime as në filmat fantastiko-shkencor nuk mund të bëhen. Z.Marty siç duket dëshmitë më të forta për këto supozime të tij i gjen në librin e famshëm të Carla del Pontes, me titullin “Gjuetia”- libër në të cilin ajo mbledh “dëshmi” të shumta që shqiptarët e Kosovës kontrabandonin organe njerëzore të serbëve të rrëmbyer pas përfundimit të luftës së Kosovës më 1999. Por këtë libër lirisht mund ta kategorizojmë përkrah romaneve të Harry Potterit të autores së mirënjohur J.K. Rowling. Carla Del Ponte pa frikë mund ta mbajë vendin e parë për fantazi të çmendur dhe aspak tërheqëse në krahasim me autoren e dashur për të gjitha moshat, J.K. Rowling.

Z. Marty i jep mbështetje të fuqishme edhe pretendimeve të Serbisë për të drejtën e tyre mbi Kosovën, duke mohuar luftën çlirimtare të popullit të Kosovës dhe duke u munduar ta kthejë atë në luftë territoresh të krimit të organizuar. Është tejet e vështirë të bëhet një gjë e tillë kur përpara nesh kemi një histori të tërë përpjekjesh paqësore të popullit tonë, deri në fundvitet ’90-ta, epokë kjo kur sulmet ndaj shqiptarëve u intensifikuan dhe u institucionalizuan nga Serbia dhe në mënyrë te drejtpërdrejtë shprehej urrejtja për shqiptarët, epokë kjo kur shqiptarët u dëbuan nga puna e tyre, epokë kjo kur nxënësit shqiptarë helmoheshin dhe mësonin në shtëpi private, epokë kjo kur vrasjen e një shqiptari nuk kishte gjykatë që ta dënonte, epokë kjo kur edhe fëmijët e vrarë shqiptarë quheshin terroristë.

Por i themi z.Marty se këto ‘’lojëra’’ janë të pamundshme tashmë, për këtë realitet të ri mjaft mirë është përkujdesur Serbia me reprezalje sistematike, burgosje e vrasje deri në luftën e pashmangshme të vitit 1997. Është e vërtetë se lansimi i raportit të z.Marty në një kohë kyçe për Kosovë medoemos mund të ketë efektet e veta edhe në diplomacinë ndërkombëtare. Raportuesi i Këshillit të Evropës ka menduar që raporti i tij në një situatë kur Kosova pret njohje të reja për t’iu hapur dyert drejt integrimeve euroatlantike dhe bisedimet me Serbinë janë të pashmangshme, do ta arrijë efektin e vet në dëmtimin e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, luftën e drejtë dhe çlirimtare të popullit të saj, të prishë imazhin e institucioneve kredibile të Kosovës, zbehjen dhe shantazhimin e tyre përballë faktorit ndërkombëtarë, të zvarritë procesin e integrimeve euroatlantike dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Serbia tash e dhjetë vite po mundohet t’ia bëj shtetit të Kosovës këto barrikada në të gjitha mënyrat dhe format, duke angazhuar tërë artilerinë e diplomacisë serbe e ruse dhe shteteve satelitë të tyre. Imuniteti që gëzon si anëtar i Këshillit të Evropës, z.Marty nuk do ta mbrojë nga ndërgjegjja dhe përgjegjësia intelektuale e morale para një kombi prej shtatë milion shqiptarësh. Këto supozime imagjinative janë hetuar tre herë radhazi, njëherë nga Tribunali i Hagës, pastaj nga autoritetet e UNMIK-ut dhe së fundi nga autoritetet e EULEX-it, të gjitha këto autoritete ndërkombëtare. Dhe përsëri mbas gjithë këtyre hetimeve, z.Marty i fshehur nën petkun e njeriut që lufton për barazi, që lufton krimin e organizuar dhe mbron të drejtat e njeriut, ka kurajën të bëj diçka të tillë, të mundohet të barazoj kriminelin dhe viktimën, luftën e drejtë për vetëvendosje ta kthej në luftë territoresh të krimit. Sinqerisht do ta falënderoja z.Marty që na ka përkujtuar se duhet të këmbëngulim që menjëherë të krijohet një trupë hetimore nga autoritetet ndërkombëtare, për të hulumtuar destinimin dhe përfundimin e trupave të të zhdukurve tanë dhe kjo duhet të jetë kushtëzim nga pala kosovare përballë palës serbe për bisedimet e ardhshme.