Devalvimi i titujve akademikë paslufte në Kosovë
- Kosova land of opportunities -
Paslufta Kosovën e ka përcjell me ndryshime të shpejta në shumë sfera të jetës politike, shoqërore, kulturore etj. Tingëllon nga të tjerët ndoshta nihilizëm, por, fatkeqësisht një mori e këtyre ndryshimeve kanë shkuar në kahe të gabueshme. Ëndrra për një Kosovë të begatë, ku do te ketë mirëqenie, sundim të ligjit, një shtet ligjor ku do ta kanë lakmi edhe vendet me një traditë më të gjatë demokratike, se lërë më fqinjët tanë me demokraci të brishtë, doli të jetë vërtetë një ëndërr me Ë të madhe.
Tranzicioni politik e ekonomik zgjati shumë dhe akoma po zgjatë. Një ‘xhungël juridike’, është prezente këtu akoma edhe dhjetë vjet pas lufte, ku siç thotë populli: ’Nuk e din qeni t’zotin’. Sa e sa vrasjet janë bërë pas lufte në Kosovë e të pakta janë, të papërfillshme, që janë ndriçuar deri më tani, e mos të flasim për gjëra më minore, që flenë nëpër sirtarët e gjykatave anemike të Kosovës.
Privatizimi i ndërmarrjeve publike jo që ka dhënë inpute për këndelljen e ekonomisë së vendit, por vetëm se ka lënë me qindra punëtorë rrugëve që më parë kishin siguruar bukën e gojës nga ato punë që kishin bërë para privatizimit. E sa për korrupsion mos të flasim, ai tashmë ka arritur në stadet më të larta. Këtë tash së fundmi e pamë edhe nga bastisjet në MTPT, për dyshimet për keqpërdorimin e miliona eurove të parasë publike dhe dyshimet që po plasohen nëpër media edhe për ministra e ish-ministra tjerë.
Rritjen e korrupsionit në këtë shkallë po e tregojnë edhe të gjitha raportet e organizatave me ndikim në botë, së fundmi edhe raporti i Bankës Botërore, që Kosovën e vë në toplisten e vendeve më të korruptuara në rajon.
Nga këto e shumë deformitete tjera ka pësuar më së shumti qytetarët e tanë, ju ka vështirësuar perspektiva dhe e ardhmja, sidomos, të rinjve tanë, një numër i madh i tyre bredhin rrugëve dhe shohin si të vetmen alternativë mundësinë për të emigruar në ndonjë vend të Evropës Perëndimore.
Por, kujt i konvenon dhe kush janë përfituesit e këtij kaosi…?
Përgjigjja është e qartë. Një grup shumë i vogël, disa klane të të ashtuquajturës ’elite politike’, të disa servilëve të politikës vendore, që në bashkëpunim me disa ’miq’ ndërkombëtarë arritën t’i kënaqin orekset e tyre dhe klaneve, për një kohë rekord u bën milionerë. Ku tjetër në botë bëhesh milioner më shpejt sesa ne Kosovë? Tingëllon keq, por edhe gati dy vjet po bëhen me Kushtetutë, edhe me ato ligje, rregullore, udhëzime, sistemi juridik këtu i ngjan një ‘sallate ruse’. Ndërkaq, kushtetutshmëria e Kosovës është ende fiktive dhe nuk gjen zbatim në pothuajse 1/3 e territorit .
Profesioni më tërheqës e profitabil mbetet akoma POLITIKA, këtu shihet perspektiva. Këtë duket e kanë nuhatur edhe shumë aktivist të shoqërisë civile, që pas një kohe jo të gjatë të aktivitetit të tyre, nga joshja e politikës po bien në kthetrat e saj. Thënia e filozofit Weber, para gati njëqind vjetëve më pare se, ‘atë ditë kur fillon të merresh me politikë, njeriu një pjesë të shpirtit ia dhuron djallit’, po dëshmohet si konstatim i saktë edhe sot.
Aq vizionar tregohen politikanët, sa që mendojnë jo vetëm për të tashmen për të jetuar në luks, por, edhe për të ardhmen e tyre. Në këtë vakum juridik , ku akoma mungojnë ligjet më bazike të një vendi, ata nuk ngurrojnë të nguten të nxjerrin vendime e ligje për benificione, që japin privilegje e garanci edhe për të ardhmen e tyre, pse jo edhe ‘pas politike’.
Po çfarë është gjendja në fushën akademike? Duhet veçuar arsimin e lartë, ku duhet përshëndetur ngritjen e pagave për mësimdhënësit universitar, po jo edhe për ata parauniversitar, që me gjithë trumbetimet e qeverisë për rritje pagash, ata kanë përfituar vetëm një ngritje thuajse simbolike. Përkundër këtyre, gjendja nëpër institucionet e arsimit të lartë nuk është për t’u lavdëruar. Aq shumë janë devalvuar titujt akademikë, sa që me ngurrim i thuhet dikujt se ke një titull.
Një dukuri e pasluftës është edhe diplomimi në fakultete i fytyrave politike, besa edhe marrja e titujve akademikë, magjistra e doktorë. Aq shpejt merren këta tituj sa mendja se merr dot, aq sa edhe procedurat administrative se lejojnë një gjë të tillë. Padashur të ofendoj ndonjë institucion, por për institucionet e arsimit të lartë privat, nuk më ngelet hatri, se fundja ato biznes e kanë këtë veprimtari, por, si lejohet një gjë e tillë në t’vetmin institucion të arsimit të lartë publik në Kosovë dmth., në UP. …………? ‘Aiii doktor i masluftës! Dikur para lufte memzi e merrte një (6) me njëqind shtylla e tash veç kur sheh Dr. në derë të X fakultetit, ligjërues i filan lëndës’, shprehte mllefin një profesoreshë derisa shihte emrin e ish-studentit të saj.
Çka të thuhet tjetër pos të mbesim me shpresë, se veprimet e fundit për vendosjen e ligjit në Kosovë, të mos mbesin vetëm një shfaqje e filmave aksion, por një hap i vendosur për të vënë rregull në të gjitha sferat e jetës, bile edhe në atë të arsimit. Ndryshe, motoja e dëgjuar në fushatë paraelektorale, “zero tolerancë ndaj korrupsionit”, ka mbetur një relikt i së kaluarës. Zoti e bëftë hajr!
(Autori është në përfundim të studimeve Master për Shkenca Politike në UP)


