Dëshpërimi dhe mangësia e diplomacisë shqiptare
Sjelljet e këqija jo-civilizuese të Edi Ramës që ia prishën imazhin zgjedhjeve të para të lira dhe të hapura në Shqipëri, si duket sollën vetëkënaqësi në Berishën duke bërë lëshime koalicioni me kalkulime të gabuara si në emërimin e një njeriu në krye të diplomacisë shqiptare, që flet një anglishte të Hashim Thaçit në CNN, zotin Ilir Meta.
Asgjë fyese, por vet një emërim i tillë është i dëmshëm jo vetëm për ngritjen e rëndësisë gjeopolitike të Shqipërisë në rajon, por edhe për të gjithë shqiptarët në përgjithësi, e veçanërisht për shtetin e ri të Kosovës i cili si duket të vetmin aleat të vërtetë në thelb e ka shtetin e gjakut të njëjtë.
Me gjithë respektin për Ilir Metën dhe Sali Berishën, një kalkulim ku interesat partiake dhe vetjakeje mbizotëruan duke injoruar analizat gjeopolitike të pozitës dhe rritjes së fuqisë të shtetit të Shqipërisë në Ballkan, janë një gabim i madh gjeostrategjik me dëme që do të shihen në vitet e ardhshme.
Ju jap rastin e takimit te Ministrit Meta me Sekretaren Hillary Clinton, ku i pari ishte i shoqëruar me një përkthyes të gjuhës angleze. Protokolli sotëm diplomatik që lidhet sidomos me shtetet e fuqishme të botës mbizotërohet nga njohja e gjuhës lingua franca në mënyrë të rrjedhshme, e mungesa e njohjes sigurisht që e cungon politiken shqiptare kundrejt asaj tjetër - të themi greke apo serbe.
Të këto shtete kanë ambicie që t'i lidhin marrëdhëniet e tyre fuqishëm me SHBA-të duke mos u prekur strategjitë e tyre politike ndaj fqinjëve të tyre, në rastin e Serbisë, Kosova dhe Bosnia, kurse në rastin e Greqisë, Shqipëria, IRMJ dhe Turqia. Një mundësi e lidhjes së kësaj paralele është e mundshme dhe do të formalizohet në muajt që vinë, që njëkohësisht mund të zbehin faktorin shqiptar ne Ballkan.
Kadare, në një intervistë për mediet shqiptare patë thënë që dy shkopinjë nuk thyhen lehtë duke shpjeguar faktin e dy shteteve shqiptare në Ballkan, por rezistenca dhe forcimi i këtyre dy shkopinjve mund të thyhet nëse nuk janë të përsosur, të koordinuar dhe të ngritur në mënyrë cilësore.
Një shkrim i Ilir Metës të publikuar para disa viteve për shtypin serb, aq shume mirësjellje ndaj Beogradit ishte shprehur sa që të gjitha mediet serbe ishin të habitur nga ky ndryshim i kursit politikës së Shqiptarisë, apo ndoshta ishin të panjohur deri në atë kohë. Emërimi i Metës në krye të Ministrisë së Jashtme, ishte edhe njëra ndër arsyet që e shtyri lidershipin e Serbisë të kërkojë ngrohjen e marrëdhënieve me Shqipërinë.
Nuk mund të them që diplomati Basha ishte më i mirë se pasardhësi i tij Meta duke ditur e marrë parasysh komentin të paredaktuar, ndoshta të paqëllimshëm, "Serbia mbetet fqinje e Shqipërisë," duke harruar se Serbia është fqinje rajonale sikur Kroacia. Këto terminologji kanë domethënie të fuqishme diplomatike që përdorin në mënyrë intensive nga njësitë e krijuara të diplomacisë në Beograd.
Në Kosovë mbizotëron po i njëjti mjerim diplomatik. Njerëz me kualifikim të ulët në diplomaci, me një njohje të cunguar të gjuhës angleze, me njohuri të cekët në marrëdhënie ndërkombëtare, artikulim të dobët diplomatik qoftë në takime bilaterale, qoftë për media, sjellin edhe një mangësi të madhe të faktorit shqiptar në botën diplomatike.
Shteti i Shqipërisë nuk ka asgjë t'i ofrojë shteti të gjakut të njëjtë, të Kosovës dhe anasjelltas. Që të dyja ka një diplomaci të mangët, dëshpëruese, thjeshtë të fokusuara në interesa partiake dhe personale, duke e humbur shansin e madh të ndërtimit të faktorit shqiptar në Ballkan, pozitës së tij gjeostrategjike në botë. Andaj si rrjedhojë, vazhdon edhe fyerja ndaj shqiptarëve dhe do të vazhdojë në Ballkan.
Është momenti i fundit kur mund të zgjohemi dhe të mendojmë si përfaqësuese të qytetarëve, t'i masim njohuritë tona intelektuale para se ta marrim përgjegjësi për të përfaqësuar vendin tonë.
Tek ne, hyrje në politikë do të thotë mundësi për rritje të pasurisë së vetvetes, dhe jo të qytetarit, shtetit, prandaj mungon vullneti, ndjenja dhe fuqia politike e shqiptareve në Ballkan. Meqenëse këta janë peshq të vegjël, Meta një profesor dhe Hyseni një mësues, te dy kanë një pasuri marramendëse. Sikur të kishin edhe pasuri diplomatike, çfarë ironie do të ishte.


