Please enter at least 3 characters.

Dëshira e madhe për të nxitur dhunë

Ballkani njihet për luftërat e përgjakshme që janë zhvilluar me vite të tëra dhe me largimin nga pushteti të Millosheviqit në Serbi, u mendua se kjo pjesë e botës do të ketë një stabilitet të qëndrueshëm, për t’i siguruar kombeve të ndryshme nga kjo pjesë, një jetë më të sigurt dhe përparimtare krahas vendeve tjera botërore.

Rrëzimi i Millosheviqit nga pushteti në Serbi dhe daljes në skenë të “demokratëve”, i dha një shpresë të madhe botës demokratike, që më në fund edhe Ballkanit po i krijohet një rrugë e sigurt drejt integrimeve. Me sa duket, kjo ishte vetëm një shpresë shterpe për të gjithë ata ëndërrimtar të së vërtetës, por në veçanti ndërtuesve dhe ruajtësve të paqes. Realisht kapela ndërroi në kokën e Serbisë, por truri ishte po ai i njëjti, me shprehi të fituara qysh herët për të sjellë luftëra dhe dhunë të vazhdueshme për popujt e ndryshëm të kësaj hapësire gjeografike. Fantazmat e Millosheviqit nuk lanë të ketë një ndërtim të paqes në tërë rajonin, duke filluar me vrasjen e Gjingjiqit, një figurë e respektuar në botë, deri tek mbrojtja me fanatizmin më të madh të kriminelëve të luftërave që janë zhvilluar në të kaluarën.

Ardhja në pushtet e Tadiqit, riktheu besimin te pjesa më e madhe e udhëheqësve botëror edhe popullit të Ballkanit në përgjithësi, por prapë se prapë mbizotëronte frika se do të vazhdohet me politikën e njëjtë serbe, për të shtypur popujt tjerë, sidomos shqiptarët, por kësaj here me një mënyrë më ndryshe dhe shumë më të rrezikshme. Kjo politikë shtypëse, po praktikohet pandërprerë me të vetmin qëllim dominimin ndaj popullit shqiptar.

Qëllimi kryesor i qeverisë serbe, është destabilizimi i situatës në Kosovë dhe nxitjes së dhunës. Këta politikanë serb, po udhëhiqen nga bindjet e tyre të ulëta që kanë ndaj shqiptarëve, me ç’rast po manipulojnë në një masë shumë të madhe komunitetin serb në Kosovë, të cilët po i shfrytëzojnë në maksimum për të dëmtuar imazhin e Kosovës si një shtet i ri e me perspektivë.

Deri më tani nuk dimë ndonjë veprim të natyrës pozitive nga ana e qeverisë serbe, por vetëm negative, duke shtyrë komunitetin serb të sillen në mënyrë jo normale.

Në mesin e shumë qëllimeve të rrezikshme të qeverisë Serbe, kohët e fundit është aktualizuar edhe çështja e ndarjes së Kosovës. Kjo ide është hapur rreziku më i madh që i kanoset Ballkanit në përgjithësi, për të shkaktuar konflikte, madje nuk janë edhe larg mendsh luftërat që mund të pasojnë. Për ne, nuk është edhe aq çuditëse kjo ide e Serbisë, sepse nga ta, presim vazhdimisht veprime të ulëta dhe ide shkatërruese të qetësisë dhe paqes.

Me ndarjen e Kosovës, Serbia po synon të kthehet në kohën e luftërave që janë shkaktuar në të kaluarën, sepse nga kjo nuk mund të dilet ndryshe përpos fillimit të luftërave. Vullnet më të madh për të nxitur dhunë më së shumti mund të vërejmë te pushtetarët serb, interesi i të cilëve është të shkatërroj shtetin e Kosovës.

Vërehen hapur synimet e Serbisë për të dëmtuar edhe komunitetin serb që jeton në Kosovë, të cilët i kanë mbyllur sytë dhe po shohin vetëm zi dhe po lejojnë një manipulim të tillë. Shpresë dhënëse janë disa zhvillime të fundit, siç është pjesëmarrja në zgjedhje me një përqindje të lartë në Komunat serbe dhe duke mos iu bindur urdhrave nga Serbia që t’i bojkotojnë ato. Por, nuk duhet harruar presionet e vazhdueshme përmes formave të ndryshme që po bëhen në këtë drejtim.

Një luftë e fshehtë e shumë here edhe e hapur, do të vazhdoj edhe më tutje nga Serbia për të dëmtuar Kosovën dhe popullin e saj, por vendi ynë duhet të jetë më syhapur për t’i ikur provokimeve të ndryshme nga ana e Serbisë.