Amerika lanson operacionin "Shtiza Jugore” kundër drogës në Karaibe

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se fushata në zgjerim e ushtrisë amerikane kundër drogës në Karaibe tani do të njihet si "Operacioni Shtiza Jugore".
Emërtimi i ri nënvizon shkallën në rritje dhe natyrën afatgjatë të misionit, i cili filloi këtë verë si pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të synuar narkoterrorizmin në rajon.
Forcat amerikane kanë kryer të paktën 20 sulme ndaj anijeve në ujërat e Amerikës së Jugut, duke vrarë të paktën 76 persona.
Operacioni do të përfshijë gati një duzinë anijesh të Marinës dhe rreth 12,000 marinarë dhe marinsa të pozicionuar në zonë pas mbërritjes së aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford.
Mbërritja e anijes luftarake USS Gerald R. Ford në ujërat e Karaibeve ka nisur atë që një ekspert i mbrojtjes e quan një “kohëzgjatje strategjike”, duke e detyruar administratën Trump të vendosë nëse do të veprojë ushtarakisht kundër Venezuelës apo do të tërhiqet – secila me pasoja të thella gjeopolitike.
Sipas Pentagonit, misioni i saj është të “zbulojë, monitorojë dhe ndërpresë aktorët e paligjshëm” që operojnë në rrugët e trafikimit të drogës që shtrihen nga Paqësori në Karaibe.
Por shkalla e vendosjes dhe afërsia me Venezuelën kanë sinjalizuar një qëllim më të gjerë.
Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar prej kohësh qeverinë e presidentit venezuelan Nicolas Maduro për bashkëpunim me grupet e trafikut të drogës dhe forcat e korruptuara të sigurisë, akuza që Maduro i mohon dhe i hedh poshtë.
Raportohet se operacionet filluan në Karaibet jugore pranë bregdetit të Venezuelës, por kohët e fundit janë zhvendosur në Paqësorin lindor, ku forcat amerikane kanë synuar anije pranë Meksikës.
Hegseth tha: “Presidenti Trump urdhëroi veprim - dhe Departamenti i Luftës po e zbaton. Sot, po njoftoj Operacionin SOUTHERN SPEAR. I udhëhequr nga Task Forca e Përbashkët Southern Spear dhe Komanda Jugore e SHBA-së, ky mision mbron atdheun tonë, largon narko-terroristët nga hemisfera jonë dhe siguron atdheun tonë nga drogat që po vrasin popullin. Hemisfera Perëndimore është fqinjësia e Amerikës - dhe ne do ta mbrojmë atë.”
Njoftimi i Hegseth vjen pasi Trump mori opsionet e azhurnuara ushtarake për operacione të mundshme në Venezuelë, duke përfshirë sulme të mundshme tokësore.
Udhëheqës të lartë të mbrojtjes, përfshirë Hegseth dhe Kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm Dan Caine, e informuan presidentin mbi skenarët për ditët në vijim.
Ndryshe, nuk është marrë ende një vendim përfundimtar për sulmet tokësore. /Telegrafi/
















































