LAJMI I FUNDIT:

Ambientalistët në Maqedoni: Metoda e pastrimit po dëmton Drinin e Zi

Ambientalistët në Maqedoni: Metoda e pastrimit po dëmton Drinin e Zi

Lumi Drini i Zi në Strugë, tashmë 10 ditë i ngjan një vend ndërtimi. Makineri të rënda të ndërtimit, maune dhe ekskavatorë, po punojnë për të thelluar shtratin e lumit, dhe për ta pastruar atë nga mbetjet e akumuluara për gati katër dekada. Edhe pse ata që e njohin situatën besojnë se një aktivitet i tillë ishte më se i nevojshëm, ata mendojnë se mënyra e realizimit të punëve, është dashur të realizohet ndryshe, pra me metoda ekologjike.

Është një projekt i zbatuar me ndihmën e UNDP-së dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Komunën e Strugës.


“Pastrimi i fundit i shtratit të lumit u krye në vitin 1985. Një sasi serioze e materialit të tillë të grumbulluar do të hiqet nga shtrati i lumit, i cili është një rrezik serioz gjatë përmbytjeve, sepse i gjithë uji që bartet nëpër lumin Drini Zi, pas shtratit të rregulluar të lumit paraqet rrezik për përmbytjen e vendbanimeve përgjatë lumit Drin”, tha Nikolla Zdravevski-menaxher i projektit në UNDP.

Por Zdraveski, për dallim nga ambientalistët, thotë se sipas lejeve të marra nga Ministria e Mjedisit, aktivitetet e ndërmarra nuk do të kenë ndikim negativ në botën e gjallë në vetë lumin, sepse ajo që po pastrohet tani është vetëm shtrati i lumit në pjesën urbane të qytetit. Është marrë parasysh që shtrati i lumit të mos lihej në asnjë moment pa ujë, pra të kishte një minimum biologjik. Pritet të nxirren rreth 2000 metra kub sediment, llum dhe material tjetër./Alsat/